Spanja pati nevojë për një gol aksidental që të arrinte fitore në ndeshjen ndaj Iranit në Kupën e Botës. Skuadra nga Europa e pati shumë të vështirë dhe u shpëtua nga Diego Costa.
I duhej dikush që ta nxirrte nga balta.
Spanja e gjeti tek Diego Costa, njeriu që shënon golat dhe siguron fitoret, ashtu si Cristiano Ronaldo tek Portugalia.
I mbiquajturi “djalë i keq i futbollit”, sulmuesi 29-vjeçar e gjeti mënyrën sesi të realizonte në portën e Iranit, me gju apo me ndonjë pjesë tjetër të këmbës, dhe të shpëtonte ekipin e tij nga telashet.
U mendua e lehtë, por doli shumë e vështirë që ish-kampionët e botës dhe dy herë kampionët e Europës të kalonin pengesën iraniane në stadiumin e Kazanit. Patën përballë një trajner që i njeh mirë si Carlos Queiroz, por patën edhe faj vetë, përveç meritës së Iranit, që fitorja nuk doli aspak e sigurt.
Loja e iberikëve nuk ishte aspak e shpejtë dhe pasimet horizontale nuk i dhanë befasi ndaj një kundërshtari që u mbrojt dhe luftoi fort për çdo top. Iranianët vendosën të sulmonin vetëm pasi pësuan golin, pasi nuk kishin çfarë të humbisnin më.
Për hir të së vërtetës, u treguan shumë të rrezikshëm, dhe Spanja nuk e pati aspak të lehtë t’i përballonte. Madje u shënua edhe një gol, por që u anulua në mënyrë korrekte nga përdorimi i VAR-it.
Ezatolahi ishte në pozicion jashtë loje në momentin e shënimit, edhe pse gjyqtarit iu deshën 2 minuta që të përdorte teknologjinë për ta vërtetuar.
Ashtu si Portugalia, as Spanja nuk bindi, duke forcuar bindjen se asnjë skuadër e madhe nuk ka mbërritur në formën e duhur në Botërorin rus.
Pavarësisht fitores, spanjollët nuk janë të kualifikuar, madje edhe mund të eleminohen në rast kombinimi të pafavorshëm të rezultateve në ndeshjet e fundit të grupit B, Spanjë-Marok dhe Portugali-Iran./abcnews.al