Spanja drejt zgjedhjeve të parakohshme

schedule22:25 - 13 Shkurt, 2019

schedule 22:25 - 13 Shkurt, 2019

Spanja rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi qeveria e kryeministrit Sançez nuk ka arritur të kalojë në Parlament buxhetin për vitin 2019. Shkak për këtë dështim është bërë vota kundër e partive katalanase, pas refuzimit të ekzekutivit të Madridit për të diskutuar referendumin për pavarësinë.

Parlamenti spanjoll refuzoi projekt/buxhetin e qeverisë për vitin 2019, një lëvizje kjo që shtyn edhe më shumë kryeministrin Pedro Sançez drejt organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, që citon burime qeveritare dhe pranë partisë socialiste, kabineti i Sançez kishte në plan të shpallte zgjedhjet e reja të përgjithshme nëse buxheti do të dështonte.

Burimet deklaruan se për momentin nuk është vendosur një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por gjasat janë për më 14 dhe 28 prill. Partia socialiste e kryeministrit Sançez zotëron më pak se çerekun e mandateve të Parlamentit dhe i duhet mbështetje nga partitë e vogla rajonale për të kaluar buxhetin. Por partitë katalanase bashkuan forcat me qendrën e djathtë dhe konservatorët, duke votuar kundër buxhetit dhe duke i dhënë një goditje të fortë kreut të qeverisë.

Votimi i së mërkurës u mbajt në një kohë përçarjesh të thella mes Katalonjës dhe Madridit dhe kur gjyqi ndaj 12 separatistëve katalanas të akuzuar për rebelim për shpallljen e pavarësisë në 2017-n filloi ditën e martë. Partitë katalanase kishin paralajmëruar që javën e kaluar se do të votonin kundër për shkak të refuzimit të ekzekutivit spanjoll për të diskutuar një referendum për pavarësinë në rajonin e tyre. Në total, 191 deputetë votuan kundër buxhetit, 158 pro dhe 1 abstenim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!