TIRANË- Me urdhër të SPAK janë goditur shtatë grupe kriminale dhe janë sekuestruar miliona euro para cash, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Avokatja Enida Bozheku, tha se kokat e këtyre grupeve kanë prej më shumë se dy dekada që operojnë në Shqipëri.
Ajo theksoi se këto personazhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë dhe në këto kushte kanë korruptuar drejtësinë dhe më pas kanë përfituar lirinë. Madje, avokatja shtoi se operacioni i SPAK ka ngjashmërinë me ato që përdori Italia për të goditur grupet kriminale dhe mafien.
“Ato kanë bashkëpunuar me drejtësinë dhe si rrjedhojë kanë fituar lirinë. Hera e parë në Shqipëri, që SPAK, bën një megaoperacion, që mund të krahasohet me atë të Italisë në vitin 1981.
Avokati Edmond Petraj tha se i vetmi sukses në aksionin e SPAK ishte zbulimi i miliona eurove, pasi sipas tij nga 50 urdhër arreste të lëshuara, 30 persona nuk janë kapur.
“30 veta nuk u kapën, personat kyç që këta pretendonim se kishin role vendimtare në ato grupe nuk janë kapur. Urdhrat e arrestit janë 50. Unë mendoj se nuk ka qenë i mirë organizuar dhe surpriza e gjithë operacionit kaq në kapja e sasisë monetare, orëve dhe monedhave, dhe kjo ka qenë pjesa kulmore. Ajo do të ishte një fotografi, e cila do të korrte sukses në bienale. Është sasia më e madhe cash e kapur ndonjëherë. I vetmi sukses është kapja e kësaj shume monetare. Nëse 30 veta nuk janë kapur, çfarë do të thotë. 30 nuk janë pak”, tha ai.
Gazetarja Anduena Llabani, tha se këto gjëra që po dalin aktualisht janë dhënë në dëshmitë e bashkëpunëtorët të drejtësisë Nuredin Dumanit.
“Përpara se të vinin 80 mijë faqe nga Franca dhe Belgjika. Nuredin Dumani, këto gjëra që dalin sot i ka dhënë në dëshminë e tij. Shumë të mëdha që ka dhënë për vrasjet e 10 viteve të fundit janë pikërisht këtu”, u shpreh Llabani.
Ajo shtoi më tej, se në këto dosje flitet për ngjarje të bujshme, që janë kryer në dhjetë vitet e fundit.
“Këtu flitet për vrasjen e Santos, zhdukjen e Enver Stafukës”, theksoi ai.