Deputeti demokrat, Gazment Bardhi i ka dalë në mbrojtje Sali Berishës në lidhje me aferën e privatëzimit të ish kompleksit Partizani. Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se SPAK shkeli Kushtetutën për dhënien e masës ‘detyrim paraqitje’ dhe kufizimit të lëvizjes të Berishës pa autorizim nga Kuvendi.
Sipas Bardhit, nxitimi i Prokurorisë së Posaçme për këtë çështje ka pasur për qëllim krijimin e perceptimit se opozita nuk e ka betejën me Ramën por me drejtësinë.
“Kufizimi i lirisë së lëvizjes së zotit Berisha pa autorizimin e Kuvendit është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje mbi arsyet e nxitimit të SPAK. Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës edhe pse opozita nuk kërkon dhe nuk pret asnjë mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga drejtësia. Por që drejtësia të konsiderohet e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova dhe në transparencë dhe pa ndikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor.
Personalisht do të votoj në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinin në kuvend si shenjë e besimit se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin apo të gëzojë një status të veçantë në raport me secilin prej votuesve tanë. Ky është një dallim nga grupi parlamentar i PS që në të shkuarën, kur interesi politik ia ka dashur, ka penguar prokurorinë të veprojë. Mirëpo nxitimi i SPAK për të mos respektuar procedurën e detyrueshme nga Kushtetuta ka pasur si qëllim të krijojë perceptimin e rremë të zhvendosjes së betejës së opozitës nga një betejë kundër regjimit të Ramës në një betejë me drejtësinë, do të them se ky skenar do të dështojë. Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë.”, theksoi Bardhi./abcnews.al