SPAK “prish foletë” e të fortëve, sekuestron miliona euro pasuri/ Delia: Po ndodhin larje hesapesh për llogari të Ervis Martinajt

schedule17:43 - 18 Maj, 2024

schedule 17:43 - 18 Maj, 2024

SHQIPËRI- Megaoperacioni i Prokurorisë së Posaçme ka goditur shtatë grupe kriminale, ndërsa ka vënë në shënjestër emra të fortësh, që njihen për veprimtarinë e tyre kriminale. SPAK dha detaje për aksionin e ndërmarrë të premten, ndërsa ka lëshuar 50 urdhër arreste për emra të njohur në botën e krimit, të cilët janë përfshirë në vrasje, trafikim dhe kultivim lëndësh narkotike.

Autorja e emisionit “Gjërat Tona”, Etleva Delia e ftuar në ABC News u shpreh se edhe pse i zhdukur, emri i Ervis Martinajt del në dosjen e tretë duke treguar aleancat dhe bashkëpunimet e tij me eksponentë të krimit.

Krahas shenjtërimit të personave problematikë, SPAK theksoi se ka sekuestruar miliona euro pasuri, bizhuteri dhe gjëra të tjera me vlerë, të cilat disponoheshin nga klanet mafioze.

“Edhe pse I zhdukur, emri i Ervis Martinaj del në dosjen e tretë. Është një pasuri marramendëse. Janë personazhe që kanë ndërtuar perandori . Përveç parave cash, janë bizhuteri, automjete luksoze dhe shumë e shumë gjëra të tjera”, ta gazetarja.

Referuar dosjes së SPAK, ajo qe del në pah është fakti se Emiliano Shullazi edhe pse i ndodhur në burg dhe i izoluar në sistemin 41 biss, ka bërë aleancë me Ervis Martinajn.

“Ajo që del nga kjo dosje, dokumenton se ka pasur bashkëpunime edhe nga burgu mes Emiliano Shullazit me Ervis Martinaj. Martinaj bën aleancë me grupin në Lezhë dhe me Shullazin”, shtoi ajo.

Ajo shtoi se po ndodhin ngjarje kriminale brenda dhe jashtë vendit, të cilat hedhin dyshime të forta se mund të kryhen për llogari të Ervis Martinajt.

“Po ndodhin krime dhe hesape që po lahen për të dhe nuk dihen kush është pas tyre. Nëse është ai pas këtyre apo dikush tjetër. Mund të këtë persona që kanë punuar për të dhe që mund të jenë aktivë. Policia ka dijeni prej disa prej tyre, të cilët vijojnë të jenë aktivë”, tha ajo.

E pyetur për arrestimin e Leonard Dukës në Belgjikë, i cilësuar i kreu i klanit “Duka” dhe armik i përbetuar i Ervis Martinajt, gazetarja Delia tha se ky personazh me shumë gjasë nuk do pranojë të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare.

Gazetarja më tej aksionin e SPAK në goditjen e grupeve mafioze e cilësoi si një hap pozitiv, që sipas saj duhet të vijojë për zbardhjen e të gjitha krimeve.

“Leonard Duka konsiderohet në nivel drejtimi dhe jo zbatimi, Është vështirë të kthen të penduar dhe në bashkëpunëtorë, sepse e kanë në natyrën e tyre që të heshtin. Ky është një fillim shumë i mirë dhe është një shpresë, se krimi do godite që në rrënjët e tij. Është një shenje e mirë. Të paktën t’u prihen financat. Po të duash të godasësh krimin fillimisht duhet t’i  godasësh financat.”, tha ajo./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!