SPAK, operacion në Elbasan/ Kontrolle edhe në banesën e drejtorit të Ujësjellësit Elbasan

schedule18:49 - 10 Prill, 2025

schedule 18:49 - 10 Prill, 2025

Janë zbardhur detaje të reja nga aksioni i ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga oficerët e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit, ku me urdhër të SPAK u ushtrua kontrolle në disa banesa dhe biznese.

ABC News mëson se kontrolle janë ushtruar në zyrat e biznesit të Nazif Bajrami, pronar i kompanisë “Bajrami N” dhe një biznesmen i njohur fushën e ndërtimit në Elbasan, i cili ka fituar një sërë tenderësh nga institucionet publike.

Po ashtu, kontrolle janë ushtruar edhe tek Marenglen Çoku, administrator i ekipit të Futbollit të A. F. Elbasanit, i cili është dhe pronar i kompanisë “ÇOKU M & E”.

Të njëjtat burime konfirmojnë se oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan (UKE), Luan Tabaku.

Mësohet se nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, ata kanë rezultuar të lidhur me grupin kriminal të drejtuar nga Suel Çela, ku ky i fundit vijon të jetë ende në kërkim nga SPAK.

Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme po heton tendera publikë të cilët dyshohet se janë përfituar nga krimi i organizuar përmes personave të tretë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!