SPAK këkon arrestimin e Ahmetaj/ Akuzat për tre vepra penale. Kuvendi vendos të martën

schedule15:00 - 10 Korrik, 2023

schedule 15:00 - 10 Korrik, 2023

Prokuroria e Posaçme i kërkoi lejë kuvendit për të arrestuar ish-ministrin e financava njëherazi dhe ish-zëvëndës kryeministrin Arben Ahmetaj.

SPAK ka nisur hetime për Ahmetajn prej shtatorit të kaluar në lidhje me ndërtimin dhe dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit. Prokuroria e posaçme depozitoi të premten kërkesën në Kuvend për të marrë miratimin për arrestimin e Ahmetaj dhe kontrollin e tij personal si dhe të banesës për 3 akuza, atë të Korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Kërkesa mbërriti të hënën në Kuvend, ndërsa të martën në orën 16:00, Lindita Nikolla urdhëroi mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vendosur nëse do të japë autorizimin për heqjen e mandate të Ahmetajt.

Më pas prokurori do i kërkojë gjykatës së posaçme caktimin e masës së sigurisë për Ahmetajn dhe miratimin për kontroll personal dhe atë të banesës. Për shkak se çështja është në hetim dhe ka dyshime se janë të përfshirë edhe persona të tjerë, SPAK ka kërkuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura kjo për të ruajtur edhe sekretin hetimor.

Në një njoftim zyrtar prokuroria e posaçme tha se Arben Ahmetaj akuzohet për 3 vepra penale , mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash si dhe korrupsion të kryer në 6 episode të ndryshme. Më 22 qershor, ish zv/kryeministri u paraqit në SPAk ku dëshmoi për rreth 6 orë.

Më herët, njerëzve të afërt të ish-ministrit të Financave iu sekuestruan 2 vila, me dyshimet se zotërohen në mënyre indirekte prej tij dhe nuk justifikohen me burimin e të ardhurave, njëra prej tyre ndodhe në bregdetin e Hamallajt dhe tjetra në Palasë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar proçedimin penal Nr. 277/1 të vitit 2022 për veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” , “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 257/a, 260, 245, 287 të K.Penal.

Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, në kuadrin e procedimit penal të mësipërm, ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit:

• Arben AHMETAJ, i biri i Nevruz dhe i Ferdane, datëlindja 28.06.1969, lindur në Gjirokastër, me nr personal G90628061Q.

Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të:

• “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,

• “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;

• “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal. ./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!