TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi e biznesmenin Fatmir Bektashi, të cilët janë hetuar për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Mesditën e së mërkurës, rreth orës 12:00, është thirrur në SPAK për t’u njohur zyrtarisht me akuzën ish-kryeministri Berisha, ndërsa dy orë më vonë në orën 14:00 do të njihet zyrtarisht me akuzën Jamarbër Malltezi.
Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “News Line” në ABC News me gazetaren Viol Xhafaj këtë lëvizje të SPAK e quan veprim të duhur. Ai shtoi se pas gjithë kësaj kohe që kanë marrë hetimet, ka ardhur momenti, që çështja ndaj të hetuarve të futet në procedurë të rregullt.
“Mendoj se momenti ishte, që më në fund SPAK të artikulohet hapur para të hetuarit dhe opinionit publik për të na treguar të gjithëve se pse ka përdorur gjithë këtë kohë për të hetuar Berishën dhe që e mbajnë në arrest shtëpie. Është një veprim i duhur dhe shpresoj të zhbllokojë këtë situatë absurde. Shpresojmë që më në fund të futet në procedurë të rregullt”, nënvizoi analisti i njohur në ABC News./abcnews.al