TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar një hetim të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal, me bazë në qytetin e Vlorës.
Bëhet fjalë për grupin e Inez Hajrullës, i cili është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës bë disa vende të Bashkimit Europian.
Gjatë hetimeve dhe analizës së komunikimeve të koduara në SkyECC, Byroja Kombëtare e Hetimit ka dokumentuar disa raste të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sekuestrime të konsiderueshme.
SPAK ka dokumentuar rastet e trafikut të drogës dhe rolet e personave të përfshirë në veprimtarinë kriminale. Gjatë aksionit u arrestua dhe efektivi i policisë Rezart Kuçi, aktualisht shef seksioni në policisë shkencore në Kukës.
Ai u arrestua për 3 vepra të rënda penale: shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Episodet e trafikimit:
- Në portin e Roterdamit në Holandë është sekuestruar një sasi prej 750 kilogramë kokainë, e porositur në Ekuador nga shtetasit F.P (me disa identitete) në bashkëpunim me M.D dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Hetimet tregojnë se grupi kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës.
- Gjithashtu, rreth 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë, transport i organizuar nga A.Xh. në bashkëpunim me persona të tjerë.
- Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë Rezart Kuçi, oficer policie (i cili më parë ka mbajtur detyra në DVP Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës), dhe A.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.
- Po ashtu janë dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë.
Sipas hetimeve, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian./abcnews.al


