Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Trafik droge dhe pastrim parash/ Operacion i SPAK, 20 masa sigurie, 14 janë në kërkim

schedule19:25 - 12 Qershor, 2026

schedule 19:25 - 12 Qershor, 2026

Një grup i sofistikuar kriminal që organizonte trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe që pastronte paratë e paligjshme përmes biznesmenëve të ndërtimit e jo vetëm, u godit nga Prokuroria e Posaçme në një operacion të gjerë që u shtri në disa qytete, në sajë të 20 masave të sigurisë që u firmosën nga Gjykata e Posaçme, 6 prej të cilave janë ekzekutuar ndërkohë 14 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal ishin Artur Koçeku dhe Alfredo Hamzaj, të cilët bashkëpunonin me disa biznesmenë për pastrimin e parave veçanërisht në fushën e ndërtimit. Hetimet e kryera nga struktura e posaçme, evidentuan një skemë të organizuar që përfshinte furnizimin, transportin, magazinimin, përpunimin kimik dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vende të ndryshme europiane.

Në bashkim të dy procedimeve penale, SPAK dokumentoi disa episode të trafikut të kokainës , një prej të cilave është edhe sekuestrimi i 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë të Spanjës, ku u arrestuan disa shtetas të përfshirë në transportimin e lëndës narkotike.



Përveç kësaj sasie u dokumentuan edhe sasi të tjera të kaluar në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Grupi kriminal u zbërthye nga komunikimet e siguruara përmes platformës Sky ECC dhe përgjimeve telefonike të kryera përgjatë këtij hetimi, të shoqëruara me këqyrje të dokumenteve dhe akteve të ndryshme, ku prokuroria u ndihmua edhe nga autoritetet e huaja ligjzbatuese.

Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti, Alfredo Hamzai, Ardian Zylaj, Luçiano Koçeku, Orgest Birçaj dhe Orest Sota sipas SPAK kanë investuar të ardhura me burim kriminal në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare.

Përveç tyre, investime të ngjashme me para krimi kanë bërë edhe biznesmenët e tjerë, mes të cilëve Ilir Shtufi që u arrestua në Greqi. Ky i fundit njihet si biznesmen ndërtimesh në vend dhe si njeri i ngushtë i familjes së ish kryeministrit Sali Berisha, konkretisht i Shkëlzën Berishës i cili disa kohë me parë deklaroi se jetonte me qira në një vilë të Shtufit.

Një pjesë e investimeve të dyshuara sipas prokurorisë, lidhen me prona dhe projekte ndërtimi në Tiranë, Palasë, Himarë dhe zona të tjera bregdetare, si dhe me shoqëri tregtare të përdorura për qarkullimin dhe investimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Në kuadër të këtij operacioni, ku prej orëve të para të mëngjesit të se premtes u kontrolluan 50 ambiente, GJKKO me kërkesë të Spak sekuestroi një sërë pasurish, pronash dhe llogari bankare të cilat kapin vlerën e mbi 120 milionë eurove.

 

Sekuestrimi i pasurive lidhet me dy procedime penale, njëra që ka të bëjë me grupin kriminal të Koçekut dhe tjetra me tjetërsimin e pronave në Zvërnec, në çështja e cila po hetohet ende nga Prokuroria e Posaçme.

Pasuritë e sekuestruara / vendimi 432

-18 vila dhe dy apartamente në Gjilekë, Vuno dhe Rolling Hills

-336 llogari bankare të sekuestruara në banka të ndryshme të nivelit të dytë

-4 pasuri të llojit truall në Shijak, Sarandë, Vlorë dhe Tiranë

-5 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Tiranë dhe Prishtinë

-1 hotel në Lungomare, Vlorë

-2 mjete lundruese

-2 automjete dhe 15.000€ të përfituara nga shitja e një Range Rover

Pasuritë e sekuestruara/ vendimi 435

-8 pasuri të paluajtshme në Vlorë dhe Tiranë

-65 apartamente

-106 garazhe në Tiranë

-3 shoqëri

-1 njësi shërbimi në Tiranë

-2 automjete

Ndaj të gjithë grupit, Spak ka ngritur akuzat trafikim i lëndëve narkotike, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Hetimi lidhur me të dyja procedimet po ndiqet nga prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!