SpaceX këtë vit pritet që të dërgojë ekipin e parë civil në hapësirë. Mediat e huaja bëjnë me dije se kompania në misionin e parë komercial do të dërgojë katër civilë në hapësirë.
Anija kozmike e kompanisë do të komandohet nga Jared Isaacman, themeluesi dhe shef ekzekutiv i kompanisë private të përpunimit të pagesave Shift4 Payments.
Ndër të tjera bëhet me dije se biznesmeni miliarder amerikan do të dhurojë tre vende në kapsulën SpaceX Dragon për qytetarë të tjerë. Siç thuhet ata “do të zgjidhen për të përfaqësuar shtyllat e misionit të lidershipit, shpresës, bujarisë dhe prosperitetit”.
Biznesmeni, Isaacman ka thënë për mediat se ka për qëllim të përdorë udhëtimin privat për të mbledhur 200 milionë dollarë për St. Jude Children’s Research Hospital. Ky institucion shëndetësor trajton kancerin dhe sëmundjet pediatrike.
Space X njoftoi se ekuipazhi do të niset në orbitën e Tokës diku në tremujorin e katërt të këtij viti nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida.
Kur misioni përfundon udhëtimin në hapësirë, anija hapësinore do të hyjë përsëri në atmosferën e Tokës, duke bërë një ulje në brigjet e Floridas, ka thënë kompania./abcnews.al