Ecuria e ekonomisë shqiptare është pozitive dhe e qëndrueshme.Agjensia Ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s Global Ratings” ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB”, duke konfirmuar gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme”.
Përsa i përket rritjes ekonomike S&P parashikon një zgjerim të PBB-së me rreth 3.6% në vitin 2025, e nxitur nga shpenzimet e familjeve që mbështeten nga rritja e pagave. Për periudhën 2026-2028, agjencia parashikon që rritja e PBB-së të jetë mesatarisht 3.5% në vit.
Ndërkohë që turizmi konsiderohet si një ndër shtyllat kyçe që do të vijoj të japë kontribut kryesor në rritjen ekonomike. Një shtysë e fortë për ekonominë vlerësohet nga agjensia Standart and poor’s edhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku aktualisht janë hapur 24 nga 33 kapitujt e negociatave, duke përfshirë edhe klasterin e Konkurrencës dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse.Ndërsa në këtë kuadër Komisioni Evropian ka aprovuar gjithashtu 920 milionë euro financime për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor prej 6 miliardë eurosh.
Në raport vlerësohet ndër të tjera edhe konsolidimi fiskal.Agjencia parashikon që deficiti i qeverisë së përgjithshme të jetë mesatarisht rreth 2% e PBB-së deri në vitin 2028, duke mbajtur borxhin publik të qëndrueshëm dhe në një trajektore graduale rënëse në rreth 51% të PBB-së në vitin 2028. Vlerësimi i S&P është një element i rëndësishëm për investitorët ndërkombëtarë pasi konfirmon se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme./abcnews.al

