Në rrugët e Tiranës për vendasit është bërë tashmë e zakonshme të dëgjojnë gjuhë të ndryshme të botës.
Në çdo moment të ditës, grupe turistësh i sheh kudo teksa eksplorojnë pikat kyçe turistike të kryeqytetit.
Përveç shesheve, muzeve, ku njihen me historinë, restorantet, ku shijojnë gatimet shqiptare, plot me të huaj në Tiranë janë edhe dyqanet me punimet artiazanale të krahinave të ndryshme.
Çdo turist i huaj që viziton Tiranën, nuk largohet pa marrë me vete një copëz të traditës shqiptare. Qilimat e ndryshëm, apo qeleshja që simbolizon identitetin e kombit shqiptar është ndër më të preferuarat.
Qeleshja ishte zgjedhja e këtij austriaku, sapo u gjend mes një morie punimesh artizanale.
“Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë, sapo kemi mbërritur. Do të blej këtë. Me thanë që është simbol tradicional te Shqipërisë. Është shumë interesante kur vendoset në kokë. Është vërtet e bukur dhe e veçantë, do të blej edhe për miqtë e mi në Austri. Pashë edhe veshjet tradicionale, me pëlqejnë shumë, janë më shumë ngjyra. Keni traditë të bukur”.
Në valixhet e të huajve, pasi kthehen në vendin e tyre një vend të veçantë zënë shpesh pijet tradicionale shqiptare si rakia apo konjaku.
“Jemi nga Spanja. Po shikojmë çfarë mund të blejmë për t’i marrë me vete. Fillimisht morëm këtë pijen, është tradicionale shqiptare, duam ta provojmë me miqtë tanë në Spanjë. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Ia kemi kaluar shumë bukur, turizmi këtu po zhvillohet shumë.”
Të tjerë zgjedhin sende simbolike, si kujtim nga pushimet në Shqipëri apo dhurata për të afërm dhe miq.
“Vij nga Kalifornia për herë të parë në Shqipëri. Bleva mbajtëse çelësash, me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë. Më pëlqen që në çdo vend që vizitoj të marr një te tille. Po shikoj edhe veshjet tradicionale, mbizotëron ngjyra e kuqe dhe mua me pëlqen shumë e kuqja.
“Po shikojmë për të blerë diçka të vogël për ta marrë me vete kur të largohemi që ta kemi kujtim. Paska gjera shume te bukura tradicionale, por do të marrim diçka te bukur me simbole shqiptare”.
“Jam nga Brazili. Bleva këto dy kartolina. Shume interesante edhe veshjet tradicionale me shume ngjyra. Pse jo mund të marr fanellën e kombëtares shqiptare”.
Të preferuara janë gjithashtu skulptura të ndryshme me heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Nënë Terezën, dy nga figurat shqiptare më të njohura në botë, për të cilët të huajt tregojnë interes në Shqipëri dhe preferojnë të marrin me vete si kujtim diçka qe lidhet me këto emra.