Soucek e Cerny i druhen “Legjionarëve”: Ndaj Shqipërisë na presin përballje “të pakëndshme”

schedule12:16 - 9 Shkurt, 2024

schedule 12:16 - 9 Shkurt, 2024

Ishin pikërisht 4 pikët e siguruara ndaj tyre, që na dërguan në fazën finale, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024 dhe do të kërkojnë sërish fitore, për të kaluar në elitën e futbollit evropian. Bëhet fjalë për Kombëtaren e Çekisë, me “Legjionarët” që realizuan përballje fantastike gjatë kualifikuese dhe tashmë do t’i kenë sërish kundërshtarë, kësaj radhe në Ligën B, të Nations League.

Në lidhje me shortin e Nations League foli edhe kapiteni i Republikës Çeke, Tomas Soucek, me “shkatërruesin”  mesfushës, së “Çekanëve” të West Ham, i cili u shpreh i kënaqur me kundërshtarët, teksa përveç “Legjionarëve” tanë, Ukraina dhe Gjeorgjia do të jenë rivalët e Republikës Çeke në grupin 1 të Ligës B.

“Jam i kënaqur me shortin. Jemi në një grup me ekipe të balancuara. Kemi luajtur së fundmi me Ukrainën dhe Shqipërinë. Ndaj do të kemi motivin që të përballemi sërish me to dhe të kemi sukses kësaj radhe. Gjeorgjia do të jetë një kundërshtar i ri, por unë besoj se ne mund të marrim maksimumin dhe ndaj tyre”,- u shpreh Soucek.

Një koment e bëri edhe “fantazisti” i sulmit, të skuadrës së Wolfsburg, Vaclav Cerny, autori i golit për çekët në barazimin 1-1 në Pragë përballë Shqipërisë, duel ky i vlefshëm për eliminatoret e Euro 2024, i cili nuk nënvlerësoi në asnjë moment lojtarët tanë, teksa shtoi se përballjet ndaj “Legjionarëve” janë “të pakëndshme.

“Grupi do të jetë i ekuilibruar, por ne duam të luftojmë në çdo ndeshje. Ukraina ka padyshim lojtarë të mëdhenj dhe do të jetë një kundërshtar i vështirë. Shqipëria? Kemi luajtur dy herë kundër tyre kohët e fundit, e dimë sa të pakëndshme janë. Na presin dy ndeshje shumë të vështira dhe të bukura njëkohësisht. Gjeorgjia, me siguri do të ketë shumë individë me kualitet. Ata do të duan të arrijnë rezultatet më të mira të mundshme në grup”,- u shpreh 26-vjeçari i sulmit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!