Sot vendoset fati i Shqipërisë dhe RMV-së, presidentja e re e KE: Nuk ka sinjale pozitive për hapjen

schedule09:39 - 18 Tetor, 2019

schedule 09:39 - 18 Tetor, 2019

Këshilli Europian do të japë sot vendimin përfundimtar për hapjen ose jo të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Krerët e 28 shteteve anëtare janë mbledhur dje në Bruksel për të diskutuar mes të tjerave dhe për këtë çështje.

Duket se nuk ka shpresë për një vendim pozitiv për vendim tonë, për shkak të qëndrimit të prerë të Francës, e cila kërkon së pari rishikim të procesit të zgjerimit. Presidenti Macron, përveç insistimit mbi nevojën e reformimit të procesit të zgjerimit, ka theksuar se një tjetër motiv për refuzimin, qe është numri i lartë i azilkërkuesve nga Shqipëria, të cilët përfitojnë nga lëvizja e lirë.

Pas darkës së mbrëmshme të liderëve të mbledhur në samitin e Brukselit, një burim i sigurt i tha gazetares së ABC News Erisa Zykaj se Presidenti francez Emmanuel Macron nuk do të ndryshojë qëndrim në lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar dje se nuk ka asnjë shpresë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën jeshile për hapjen e negociatave.

“Për fat të keq, shenjat nuk janë pozitive që të merret një vendim”, ka thënë Von der Leyen. Megjithatë, ajo ka njohur dhe vlerësuar reformat e ndërmarra nga dy vendet dhe ka pranuar se si Tirana edhe Shkupi kanë nevojë për inkurajim.

“Unë për vete jam fort e bindur që të dyja vendet kanë bërë përpjekje të mëdha që t’i afrohen standardit europian, ndaj dhe e mbështes shumë dhënien e një sinjali pozitiv”, ka shtuar Von der Leyen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!