Sot u ndanë dy epoka !

schedule19:25 - 21 Tetor, 2024

schedule 19:25 - 21 Tetor, 2024

Dinakët sot, sidomos ata që kanë ndarë plaçkën e luftës së piratit president, po merren jo pa qëllim me mënyrën e ndalimit të tij, por jo me veprat kriminale për të cilat akuzohet, vepra të cilat mendoj se janë mediokre në krahasim me ato që ai dhe shpura e tij i kanë bërë në të vërtetë kësaj Shqipërie. Dhe shpura është e ndarë, si rrathët e ferrit të Dantes. E ka ndarë plaçkën, sepse një grabitje e madhe do fortifikuar me mercenarë të çdo segmenti, media, politikë, biznes sidomos drejtësi.

Dosja në ngarkim dhe arrestimi i deputetit të PS për dy mandate, zotit Çyrbja ishte një çjerrje maske për mënyrën kriminale se si ka funksionuar rekrutimi i deputetëve në politikën shqiptare dhe lidhja genetike e saj me krimin më të egër në vend. Krimet në ngarkim të tij të ngjethin. Por po sot, kjo radiografi e frikshme e politikës shqiptare u plotësua me arrestimin tjetër të bujshëm, nga rradhët e politikës shqiptare, të një ish kryeministri, ish ministri të jashtëm, ish kryetar parlamenti dhe ish president i Republikës së Shqipërisë.
Veprat që janë në ngarkim të tij janë maja e ajsbergut. Shqiptarët do tmerrohen kur të marrin vesh më shumë se çdinë dhe se çkanë imagjinuar.

Mos dëgjoni hijenat që kanë ndarë dhe ngrënë kërmat që ai ju ka hedhur, këto ditë do i keni nëpër media duke kërkuar ti shplajnë trurin shqiptarëve, trurin por jo kujtesën, shpirtin dhe brengat e helmuara që për 30 vjet i mbajnë mbi shpinë.
E kam njohur dikur dhe unë, por prej 2008’ës si shumë të tjerë, Zoti dhe vlerat ndryshe na i ndanë udhët.
Dhe koha na dha të drejtë.

Kush ka ngërnë bukën e tij nuk ka ngrënë bukë lepurushi, por ka ngrënë bukën e milionave shqiptarëve, ka poshtruar, ka vrarë endrra, ka futur në sistem “elitar” dhe strukturë karriere grabitjen dhe promovimin e grabitësit më shembullor dhe shurdh memec.
Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë, sot ndahen dy epoka, le të heshtë Rama, dhe të ulërasë Berisha, sot ndahen dy epoka, duhej kaq pak mund dhe kaq shumë kurajo, për tja zbërthyer kockat antishqiptarëve më të mëdhenj të këtij shekulli, pasi për fat të keq çdo shekull ka pjellë të tillë.

Para 2 ditësh e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, ndënji mjaftueshëm në ambjentet e SPAK, por bijtë e mëkatit, sot e kanë injoruar këtë fakt, siç kanë injoruar dhe krimet që bien në kurriz të personave që po hetohen.

Sot u ndanë dy epoka, sot nuk u shkallmua vetëm fasada hipokrite e politikës shqiptare, por edhe metastazat e saj në krimin e organizuar dhe në segment të medias shqiptare.
Sot u ndanë dy epoka, epoka që do quhen, Shqipëria para dhe pas SPAK’ut.
Ky është fillimi..

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!