Sot takimi Kurti-Vuçiç/ Eksperti gjerman: Pranimi i planit s’do zgjidhë të gjitha problemet

schedule10:28 - 27 Shkurt, 2023

schedule 10:28 - 27 Shkurt, 2023

Eksperti i Europës Juglindore, Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) është i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor. Për DW ai flet për shanset e integrimit europian të rajonit dhe rreziqet aktuale.

Këtë të hënë  takohen sërish në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Tema e bisedimeve është plani i inicuar nga Gjermania dhe Franca për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. BE dhe SHBA i kanë dhënë Kosovës dhe Serbisë një afat deri në mars 2023 që të bien dakord për këtë plan.

Propozimi parasheh që të dy vendet fqinje nuk do e njohin njëra-tjetrën formalisht, por do të pranojnë ekzistencën e e dynashme dhe kështu të startojnë një proces të normalizimit, pak a shumë si ai mes Gjermanisë Federale dhe RDGJ-së mbi bazën e marrëveshjes së vitit 1972. Serbia dihet që e refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.

Sinjal i fortë për Kosovën dhe Serbinë

Eksperti i Europës Juglindore, Manuel Sarrazin, i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor sheh në planin e paraqitur një shans për të dyja vendet. “Propozimi europian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE”, shprehet Sarrazin. Pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE.

Tani është mundësia që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të pranojnë propozimet e paraqitura. Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një situatë kritike ndërkombëtare, thekson Sarrazin në bisedë me DW. Pranimi i planit nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, beson Sarrazin, por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti. Po ashtu ky plan do të thjeshtonte shumë çështje të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. “Do të ofroheshin shumë mundësi, që të zbatohen pikat që i kemi arritur në Procesin e Berlinit dhe të shkohet përtej kësaj.”

Qëndrimi i Serbisë në Ukrainë i paqartë

Përmes një qëndrimi pozitiv ndaj propozimit europian përfaqësuesit e Serbisë kanë shansin të tregojnë, që ata e kanë seriozisht kur thonë se “duan të zgjidhin në mënyrë konstruktive çështjen e Kosovës dhe të vazhdojnë me besueshmëri në rrugën e integrimit europian”. Kjo mund të krijojë një besim të ri, “që tek politika serbe mund të mbështetesh”, thekson Sarrazin. Po ashtu do të dërgohej edhe një sinjal drejt përfaqësuesve të ekonomisë, ndër të tjera në Gjermani, që duan të investojnë në Serbi.

Për Serbinë kjo ka rëndësi sidomos para situatës, ku shumë nuk janë të sigurtë, se në cilën anë qëndron Serbia në luftën e Ukrainës. “Ne presim natyrisht edhe më tej që Serbia, ashtu si është fiksuar në marrëveshjen e stabilizim-asociimit të afrohet hap pas hapi edhe më tej me politikën e jashtme europiane dhe në fund t’i bashkohet asaj.”

“BE të flasë hapur me Serbinë”

Kush do të bashkohet me BE duhet të respektojë edhe vendimet europiane. “Ne na mungon çdo lloj përpjekjeje atje”, kritikon Sarrazin. Ai apelon ndaj BE të flasë qartë e hapur me Serbinë. Të folurit hapur është më mirë se “mbulimi apo zbukurimi i hapave të vegjël, për të cilat do të ketë ujdi të dyanshme për të bërë më pas sikur çdo gjë është në rregull.” Sarrazin vlerëson që Serbia në javët e fundit është përpjekur të forcojë marrëdhënien bilaterale me Ukrainën. Por nga ana tjetër në Serbi edhe më tej ka një propagandë të fortë proruse. Sarrazin është i mendimit se perspektiva e vuajtjes në Ukrainë dhe krimet që Rusia ka kryer në Ukrainë duhet të jenë më në fokus të tematizimit publik. “Ato janë krime lufte ruse, përpjekje imperialiste ruse për të kolonizuar Ukrainën, kjo kundrejt një populli sllav, kundrejt Ukrainës”, shprehet Sarrazin.

Gjendje e tensionuar në Bosnje-Hercegovinë

Si i ngarkuar i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin ka në vëmendje edhe gjendjen e tensionuar në Bosnje-Hercegovinë. Ai e shikon si jo produktiv debatin për politikanin gjerman të CSU dhe Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt. “Në gjendjen aktuale politike e shoh një diskutim të tillë për shpërbërjen e postit të Përfaqësuesit të Lartë si të pamenduar dhe të rrezikshëm.”

Vetë Sarrazin bën një bilanc pozitiv të angazhimit 1-vjeçar si i ngarkuar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Sidomos tre marrëveshjet e mobilitetit në samitin e Berlinit, deklarata për energjinë, në kuadër të të cilës Gjermania i ka ofruar rajonit në formë bilaterale mjete të mëdha financiare janë sinjale shumë të rëndësishme. “Qeveria federale ka një angazhim të qartë për të ardhmen europiane të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.” Këtu nuk bën pjesë vetëm kërkimi i mundësive për zgjidhje për krizat akute aktuale, por edhe përmirësimi i dukshëm i perspektivës për shoqëritë në rajon. “Në këtë drejtim duam të punojmë si qeveri federale në muajt e ardhshëm”, shprehet Sarrazin. Koordimi i vendosur në ujdi të ngushtë me partnerët në BE dhe SHBA janë kusht për të arritur zhvillime pozitive në Ballkanin Perëndimor, thekson Sarrazin./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!