Sot protesta e opozitës, blindohet kryeministria, çfarë ka paralajmëruar Berisha

schedule10:51 - 12 Nëntor, 2022

schedule 10:51 - 12 Nëntor, 2022

Opozita ka thirrur ditën e sotme një protestë kombëtare e cila pritet të fillojë në orën 16:00.

Protesta do të zhvillohet para kryeministrisë dhe pritet që të zgjasë rreth 4 orë. Sakaq, dyert kryesore të kryeministrisë janë blinduar duke u veshur me llamarinë të fortifikuar. Po ashtu, një ndër masat e marra është lyerja e shtyllave të ndricimit me material graso.

Ditën e djeshme, Berisha në një konferencë për mediet theksoi se sot “Shqipërinë do ta udhëheqë populli opozitar.”

“Policia në interesin e saj më të mirë, të mos bëhet mercenare e Edi Ramës. Këtë i them policisë unë. Ka Kushtetutë, protestuesit janë fuqia absolute morale e vendit. Mjerë ai që i prek. Protesta do të zgjasë sa të dojë populli shqiptar. Sa t’i teket popullit opozitar. Ai është nesër sovrani i Shqipërisë,” tha Berisha.

Nga ana tjetër, policia ka dalë me një njoftim lidhur me akset që do të bllokohen para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit.

Konkretisht segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar prej orës 15:00, të datës 12.11.2022, deri në përfundim të tubimit, janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjet në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative./Abcnews.al.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!