Opozita pritet që të nisë protestën e paralajmëruar për këtë 16 Mars në orën 11:00. Mësohet se autobusë dhe mjete private nga rrethet e vendit janë nisur drejt Tiranës që në orët e para të mëngjesit. Protestuesit pritet të marshojnë në bulevardin Dëshmorët e Kombit drejt Kryeministrisë. Gjithashtu në këtë protestë nuk pritet të ketë fjalime nga liderët e opozitës, por vetëm nga qytetarët.
Rreth 1600 efektivë policie dhe të Gardës së Republikës do të jenë të angazhuar në mbarëvajtjen e protestës së kësaj të shtune që pritet të mbajë opozita përpara Kryeministrisë. Mësohet se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e pasme të Kryeministrisë.
Ndërkohë në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”. Ndërmjet Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur kordonë që do të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve si edhe të manifestuesve. Në gatishmëri do të jenë edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës.
Policia ka vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë. Qëllimi është për të dokumentuar provat materiale nga oficerët e Policisë Gjyqësore nëse manifestuesit do të shkelin ligjin, duke gjuajtur me sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.
Ndërkohë Garda e Republikës do të përdorë gazin lotsjellës nëse do të tentohet të dëmtohet godina e Kryeministrisë apo të ketë veprime që do të cenojnë sigurinë territoriale të saj./abcnews.al