Sot me famë ndërkombëtare, këngëtari rrëfen paragjykimet në Itali

schedule21:36 - 19 Qershor, 2021

schedule 21:36 - 19 Qershor, 2021

Mbrëmjen e kësaj të shtune në emisionin “Soiree” me Jonida Shehun ka qenë i ftuar baritoni i njohur Gëzim Myshketa për të folur për librin me CD muzikore që ka publikuar.

Në qendër të këtij projekti të artistit janë këngët tradicionale që vijnë të përpunuara nga bashkëpunëtorët e tij me nga një historik e kuriozitete rreth tyre.

Gëzim Myshketa gjithashtu ka rikujtuar fillimet e tij në Itali dhe nuk ka mohuar që e kanë paragjykuar që vinte nga Shqipëria.

“Unë e kam ndjerë problemin e nacionalitetit, ta themi troç. E kam ndjerë në vitet e para kur kam qenë në Itali ’99-2000. Jo se tani nuk ka paragjykime për shqiptarët. Ta flasim hapur dhe të jemi të sinqertë. Atëherë ka qenë një situatë që kishe frikë t’i thoje dikujt sidomos në zonat rurale dhe në qytete të vogla”, është shprehur Gëzim Myshketa.

Baritoni i njohur ka treguar se ka punuar kamarier dhe merrte shumë bakshishe, pasi klientet i kërkonin që t’ju këndonte këngë.

“Bënin batuta ‘albanese ke ardhur me gomone’. Po flas sidomos për vitet e para, pastaj i njeh njerëzit, bën që njerëzit të të njohin ty, e dinë se çfarë qëllimesh ti ke. Mua më ka ndihmuar shumë fakti që studioja për kanto dhe jetoja në Parma që ata hanë bukë e djathë e muzikë lirike. Momentin që ti i thoje studioj në Konservator për kanto zhdukej çdo lloj paragjykimi. Më thoshnin na këndo ndonjë këngë. Bëja shumë bakshishe atëherë kur isha kamarier me këngë. Isha kamarieri më i pasur i lokalit”, ka treguar Myshketa.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!