Sot i shkoi në zyrë Metës, ambasadori i BE: Ngrini sa më shpejt Gjykatën Kushtetuese

schedule16:39 - 14 Shtator, 2020

schedule 16:39 - 14 Shtator, 2020

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca kërkon nga institucionet shqiptare që të vendosin në funksion sa më shpejt Gjykatën Kushtetuese. Ai i kujton politikës shqiptare, se Gjykata Kushtetuese është një nga kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare për negociatat.

Është thelbësore që të finalizohen emërimet në Gjykatën Kushtetuese. BE vazhdon të inkurajojë autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë, me synimin për të rivendosur plotësisht funksionimin e Gjykatës. Kjo është një kërkesë e Konkluzioneve të Këshillit të BE-së të datës 25.3.20 dhe duhet të përmbushet para Konferences së parë Ndërqeveritare.

Opinioni i Komisionit të Venecias ofron udhëzimet e nevojshme për të gjithë autoritetet kompetente shqiptare për të përfunduar me shpejtësi emërimet. BE vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë në rrugën e saj të pranimit në BE” tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Postimi në faqen e delegacionit të BE-së në Tiranë, vjen vetëm pak orë, pasi Soreca zhvilloi një vizitë në Presidencë, ku takoi kreun e shtetit Ilir Meta dhe në fokus, një prej cështjeve ka qenë edhe Gjykata Kushtetuese.

Pak ditë më parë ishte zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero-Hernandez e cila u shpreh për Abc News se Kushtetuesja është kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat. Gjithashtu, ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, që kërkoi që Gjykata Kushtetuese të ngrihet dhe të nisë funksionimin në fund të vitit. db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!