“Sot duhet të kryhet kjo punë”, zbardhet dosja e Prokurorisë: Si e planifikoi Naim Murseli vrasjen e bashkëshortes Liridona Ademaj

schedule20:03 - 3 Dhjetor, 2023

schedule 20:03 - 3 Dhjetor, 2023

Zbardhen detaje nga dosja e Prokurorisë në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj, ku dyshohet se vrasja është urdhëruar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili ka paguar Granit Pllavën dhe Kushtrim Kokallën.

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, Naim Murseli ishte takuar me Kushtrim Kokallën duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e 30-vjeçares.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në orën 09:30, shkruajnë mediat në Kosovë.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para vrasjes, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.”

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë “unë ta zgjidhi këtë punë” dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Këtë të dielë, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt./abcnews.al