Aventura e dytë e Adolfo Sormanit me Partizanin ka nisur keq dhe ndaj Kukësit u regjistrua humbja e dytë radhazi. Trajneri italian vlerësoi paraqitjen e lojtarëve të tij në ndeshjen e fundit, por thekson se ka nevojë për kohë, pasi ka vetëm 20 ditë që gjendet në krye të “Demave të Kuq”.
Në prononcimin e dhënë për mediet, Sormani flet edhe nëse rrezikon shkarkimin për mungesë rezultatesh. “Nëse vijoni me rezultate negative, ndiheni i rrezikuar apo e keni marrë besimin e presidentit Demi deri në fund?“, ishte pyetja që iu bë dhe trajneri i kampionëve u përgjigj në këtë mënyrë me batutë.
“Më vjen të buzëqesh, sepse ka 20 ditë që ndodhem këtu. Mrekullitë i bën vetëm dikush, unë e kam të pamundur. Pavarësisht batutës, e përsëris, këtu ka njerëz që mendojnë se historia ka mbaruar, por historia ime sapo ka nisur“, thekson Sormani. /abcnews.al