Sormani “i mbyll gojën” Demit, Bicaj ia përplas në fytyrë të gjitha Kapllanajt

schedule08:11 - 10 Qershor, 2020

schedule 08:11 - 10 Qershor, 2020

Adolfo Sormani ka drejtuar Partizanin në seancën e djeshme stërvitore dhe duket se do të vijojë të jetë në krye të të kuqve. Tekniku italian ka pasur një takim me presidentin Gaz Demi dhe sipas asaj që raporton e përditshmja “Panorama Sport”, Sormani ka paraqitur argumentet e tij para kreut të klubit.

Ankesat e tij kanë qenë për grupin e futbollistëve dhe faktin që nuk e ka ndërtuar ai ekipin. “Nuk kam mbrojtës të djathtë, sulmi dhe lojtarët janë këta që janë”, raportohet të jenë fjalët e italianit drejtuar presidentit të Partizanit, Gaz Demi. Sormani është i gatshëm të marrë përgjegjësi nga vera, kur kërkon ta ndërtojë vetë skuadrën. Madje thuhet se ka bërë edhe një listë me lojtarët që do.

REPLIKAT NË BALLSH – Besnik Kapllanaj thumboi një ditë më parë Ditmar Bicajn, mbrojtësin që nuk i është bashkuar ballshiotëve në stërvitje. “Ne filozofë nuk duam në ekip”, thoshte Kapllanaj, ndërkohë që tashmë ka ardhur edhe reagimi i lezhjanit, i cili ka folur për gazetën e lartpërmendur.

“Si ka mundësi që qenkan të gjithë lojtarët e paguar dhe janë larguar nga ekipi? Më tregoni një lojtar në të gjithë botën që paguhet rregullisht dhe bojkoton stërvitjen?! Si ka mundësi që një lojtar që nuk stërvitet të aktivizohet sistematikisht?!

Në periudhën e pandemisë, e gjithë bota ndërpreu çdo aktivitet, ndërsa vetëm filozofi presidenti i Ballshit nuk e bëri një gjë të tillë. Skuadra ka vazhduar stërvitjet me një grup lojtarësh, duke thyer ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Çdo gjë që filozofi i Ballshit deklaron, janë të pavërteta.

Nuk jam paguar që në muajin nëntor dhe në Ballsh shkova duke besuar verbërisht te burrëria e filozofit, por burrëria i paska rrënjët larg nga ky person. Jam i zhgënjyer, pasi ndryshe u premtua dhe ndryshe u veprua. Koha do e tregojë të vërtetën”, është shprehur Bicaj. /abcnews.al