Ndërkombëtarët vijojnë t’i kërkojnë opozitës të tërhiqet nga vendimi për dorëzimin e mandateve të deputetëve. Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, zhvilluan sot në mëngjes takime të veçanta me Lulzim Bashën në selinë e PD.
Dialog dhe jo dhunë. Janë këto kushtet që i kanë vendosur opozitës përfaqësuesit e selive diplomatike më të rëndësishme në vend. Në selinë e Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha është takuar fillimisht me ambasadoren e Gjermanisë, Susan Shutz, e më pas me ambasadorin e delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Soreca. Ky i fundit i shprehu para media pritshmëritë e Bashkimit Evropian.
“Fola me të dyja palët dhe u thashë kushtin që ka qartësuar BE. Fola me Bashën dhe theksova rëndësinë e dialogut. Mendoj se e enjtja është një ditë e rëndësishme ne presim të mos ketë akte dhune dhe të ndiqen proceset demokratike”, tha ai.
Vendimi i opozitës për djegien e mandateve të deputetëve ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët duke kërkuar vazhdimisht që palët të gjejnë një zgjidhje në tryezë e protestat të zhvillohen paqësisht./abcnews.al