Janë luajtur katër ndeshje në grupin A të Kategorisë së Dytë. Tre prej tyre u mbyllën me fitoren e ekipeve vendase, ndërsa shiu i rrëmbyer ndërpreu takimin Shënkolli-Tërbuni.
Sopoti nuk gaboi në shtëpi përballë Klosit, kundërshtar të cilin e mposhti me rezultatin 2-0. Jugu dhe Sala shënuan golat e fitore për ekipin nga Librazhdi, që renditet në vend të dytë.
Iliria nuk u përmbajt aspak ndaj Internacional Tiranës. Skuadra nga Fushë Kruja triumfoi 7-1, me Xhymertin që ishte më i miri në fushë me katër gola të shënuar.
Tre pikë siguroi edhe Ada pas suksesit 2-0 ndaj Mirditës. Frroku dhe Çoku realizuan golat e fitores për vendasit. Sfida tjetër mes Shënkollit dhe Tërbunit, u ndërpre.
Fusha u mbulua nga shiu i madh dhe ishte e pamundur të luhej në ato kushte. Rezultati ishte 0-1 për ekipi pukjan, që kishte gjetur golin me anë të Hithit. /abcnews.al