Sondazhi në Serbi: 80% s’duan anëtarësimin në BE në këmbim të Kosovës

schedule13:35 - 31 Mars, 2018

schedule 13:35 - 31 Mars, 2018

80 për qind e serbëve janë gati të heqin dorë nga anëtarësimi në Bashkimin Europian nëse kjo do të kërkonte heqjen dorë nga Kosova. Javët e ardhshme pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic të prezantojë para opinionit propozimin e tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Sipas një sondazhi më të fundit të zhvilluar në Serbi më shumë se 80 për qind e popullsisë nuk e dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian nëse si kusht mbetet pranimi i pavarësisë së Kosovës. Sondazhi është kryer nga Instituti për Çështje Evropiane dhe agjencia Ninamedia në Beograd. Sondazhi, i realizuar nga data 16 deri më 20 mars, me 1.203 të anketuar, nxjerr në pah se një e treta e tyre do të mbështesnin ndarjen e Kosovës, ndërsa 56 përqind jo.

Pranimin e Kosovës nga Qeveria aktuale e Serbisë ose ndonjë e ardhshme pranohet 26 përqind e qytetarëve serbë të anketuar, ndërsa 55 përqind e tyre konsideron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Vetëm 11 përqind e të anketuarve do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësim në BE, ndërsa 81 përqind jo.

Tibor Moldvai, nga Instituti për Çështje Evropiane, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se qytetarët e arsimuar janë më të prirur për të mbështetur idetë që, sipas tij, do të zgjidhnin përfundimisht statusin e Kosovës, qoftë ai pozitiv apo negativ për Serbinë.

Edhe disa qytetarë në Beograd, të anketuar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, ndajnë qëndrimin e shumicës që tregon sondazhi.

Të pyetur se a do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për të hyrë në BE, ata thonë ‘jo’.

Në javët e ardhshme pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç të prezantojë para opinionit propozimin e tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës./abcnews.al