Sipas sondazheve të fundit kandidati demokrat për në Shtëpinë e Bardhë, Biden aktualisht është 17 pikë në avantazh ndaj presidentit amerikan Trump. Gjatë takimeve elektorale asnjeri nuk ka kursyer akuzat, këtë herë duke u përqendruar tek të moshuarit, raporton The Guardian.
“Këto zgjedhje janë të thjeshta, nëse fiton Biden, fiton Kina. Kur fitojmë ne, fiton Amerika,” kjo është deklarata më e fundit e Donald Trump i cili ka rinisur fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Dhe në Pensilvani, kreu i Shtëpisë së Bardhë, i sapo shëruar nga koronavirus, është shfaqur pa maskë.
Nga ana tjetër demokrati Biden ka zgjedhur ta mbajë, në takimin e tij elektoral në Florida, duke thënë se i vetmi i moshuar për të cilin shqetësohet Donald Trump, është ai vetë. “Ju jeni të sakrifikueshëm, të harrueshëm dhe praktikisht askushi për ‘të,” akuzoi kandidati për president duke kritikuar rivalin e tij republikan se ka organizuar festa super infektuese, transmeton abcnews.al
Sipas tij republikanët përqafohen me njëri – tjetrin pa u shqetësuar për pasojat, në një kohë që të moshuarit kanë kohë që nuk takohen dot me nipërit e tyre. Biden dënoi sërish mënyrën e Trump për të menaxhuar pandeminë dhe përpjekjet e presidentit për të rrëzuar reformën e Obamacare.
Tre javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, Trump dhe Biden përballen duke kërkuar votën e të moshuarve. Por kreu i shtëpisë së bardhë shprehet se Biden i interesojnë më shumë emigrantët se sa të moshuarit. Tramp i cili është 74 vjec ka qenë presidenti më i moshuar në ditën e betimit të tij, në historinë e vendit. Bajden i cili aktualisht është 77 vjec, nëse do të fitonte në nëntor, do të thyente këtë rekord. Të dy përpiqen të përshkruajnë rivalin si një person larg nevojave të bashkëmoshatarëve të tyre dhe në mënyrë të përsëritur kanë vënë në dyshim përgatitjen për mandatin presidencial, si atë fizike dhe atë mendore.
Gjithsesi të gjitha sondazhet janë në favor të Biden: 17 pikë larg presidentit amerikan sipas Gardian. Ndërsa për CNN diferenca është 57% për demokratin dhe 41% për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Sipas analistëve rënia e popullaritet të Trump muajin e fundit, lidhet me perfomancën në debatin e parë presidencial, si dhe me përhapjen e Kovid 19 në Shtëpinë e Bardhë ku u infektua dhe vetë presidenti./abcnews.al