Të dhënat e sondazhit “Zëri i Shqiptarëve” tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve ndaj spektrit politik në tërësi, duke përfshirë jo vetëm partitë tradicionale, por edhe formacionet e reja.
Sipas analistit Arben Meçe, i ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, perceptimi negativ ndaj politikës po thellohet, duke sjellë mungesë shprese dhe besimi te votuesit.
Ai thekson se të gjitha partitë janë në rënie, me Partinë Socialiste që ruan një stabilitet relativ më të madh krahasuar me të tjerat, ndërsa Partia Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës, pritet të vijojë trendin rënës.
Ndërkohë, partitë e vogla, pavarësisht pritshmërive për rritje, kanë dështuar të krijojnë lidership të besueshëm, në një realitet ku elektorati shqiptar voton gjithnjë e më shumë me perspektivë dhe kërkon ndryshim real.
“Po japin një perceptim negativ, dhe ka ndikimet e veta për të gjithë ata që kanë votuar për pensionet. Ka sjellë mungesë besimi dhe shprese. Ajo që po lexojmë këtë sondazh është se në bllok politika po bie dhe kjo duhet lexuar nga të gjithë komponentët. PD e Berishës ka prirje për të rënë. Kurse PS duhet t’i lexojë mirë këto të dhëna sepse nuk ka një qëndrim pozitiv që pas zgjedhjeve të 11 majit. Edhe PS, PD, por edhe partitë e vogla janë në rënie. Në këtë rënie PS ka më shumë qëndrueshmëri se sa partitë e tjera.
Duhet të ngriheshin partitë e vogla, por ka ndodhur krejt e kundërta, jo vetëm që nuk janë ngritur, por kanë rënë. Është mësim i madh për PS, PD nuk ka pritshmëri për t’u ngritur. Partitë e reja kanë disa probleme që në Shqipëri lidhen me drejtuesit politikë të saj. PD dhe PS kanë persona të fuqishëm që kanë përkrahësit e tyre. Partitë e vogla pavarësisht se u futën në garë me individë dhe nuk arritën që të bëheshin të besueshëm. Populli shqiptar nuk është më në vitet ’90 që e hidhte votën në mënyrë të verbër, por tani shikon me perspektivë nga e ardhmja dhe kjo është gjëja më pozitive.
Partitë e vogla nuk ka prodhuar lidership që mund të prodhojë besueshmëri. PD për sa kohë ka Berishën në krye do të jetë gjithnjë edhe në rënie. PS duhet të rregullojë marrëdhëniet me publikun. Lufta kundër korrupsionit, është detyra kryesore e Ramës”, tha Arben Meçe.


