Në 9 nëntor zgjedhje do të ketë, problemi që Tirana mbetet me pikëpyetje. Shkak u bë vendimi njëzëri i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar 1/6 e dekretit të Presidentit, vetëm pjesën e kryeqytetit.
Por çfarë mendojnë vetë qytetarët? Sondazhi i radhës i ABC News, ka nxjerrë konkluzionin se të pyeturit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë të ndarë, por një pjesë pak më e madhe i japin të drejtë, 56%.
Por pjesa tjetër, 43%, mendojnë se Gjykata Kushtetuese është ndikuar politikisht nga vendimi.
Ndonëse vendimi ka lënë pezull zgjedhjet. Në dy kampet më të mëdha politike, ka dy pasqyra të ndryshme.
Berisha doli me një përzgjedhje të paprecedentë, mbështeti Florian Binajn si kandidat të pavarur. Por sa besojnë që Binaj i ‘Piranjave’ të televizionit të familjes, është i pavarur nga Berisha?
84.7% mendojnë se Binaj është de fakto kandidat i Berishës, kurse vetëm 15.3% se është i pavarur nga Berisha.
Por çfarë mendojnë brenda opozitës, votuesit më të freskët, ata të 11 majit?
50% do të kishin zgjedhur Florian Binajn, përballë Ogerta Manastirliut. Kurse një 50% tjetër nuk do e kishin preferuar atë. Kjo e dyta, ndahet mes një 11.1% për Arlind Qorin dhe 38.9% për një kandidat tjetër.
Krejt e kundërta është panorama në kampin socialist.
Erion Veliaj, ylli në ngjitje i socialistëve, kryebashkiaku prej 10 vitesh në Tiranë, nuk është më i preferuari nga elektorati rozë.
Votuesit të cilët më 11 maj zgjodhën PS, preferojnë Ogerta Manastirliun si kandidate para Veliajt, në një raport të thellë diferencash, 85.5% për Manastirliun, 14.5% për Veliajn.
Aktualisht Tirana nuk ka një dekret për zgjedhjet, por ka 3 kandidatë.
Ndërkohë sipas sondazhit, 30.4% e qytetarëve janë të prirur të votojnë për Ogerta Manastirliun e PS, 22.6% për të pavarurin e Berishës, Florian Binajn dhe 4% për Arlind Qorin.
Në mes edhe një herë rezulton një elektorat i madh gri, 43% që aktualisht kanë vendosur të mos votojnë, së paku në këto zgjedhje të pjesshme dhe për shkak të ndërhyrjes së Kushtetueses, ende të paqarta.
Po nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet, si do të votonin të gjithë këta?
Manastirliu do të fitonte me 53% të votave, afërsisht në të njëjtat kuota, si Erion Veliaj në 2023. Binaj sipas sondazhit do të merrte 39.4% të votave, 5% më shumë se Belind Këlliçi.
Kurse për Arlind Qorin, një triumf, në raport me veten. Nga 4.77% i 2023, do të shkonte në 7% në 2025.
Por një gjë duket është e qartë për votuesit e Tiranës.
Sa i përket perceptimit të përgjithshëm, 80% e qytetarëve janë të qartë, zgjedhjet për kreun e Bashkisë së kryeqytetit, i fiton vetëm Ogerta Manastirliu e PS./abcnews.al

