SHQIPËRI- Katër në pesë shqiptarë apo 80% e tyre besojnë se Sali Berisha është urdhëruesi i 4 vrasjeve në bulevard më 21 janar 2011. Në sondazhin Zëri i Shqiptarëve në Abc News, rezulton se pjesa dërrmuese vënë gishtin tek ish kryeministri Berisha për autorësinë e ngjarjes, kurse vetëm 19.6% besojnë tek pafajësia e tij.
Në masë dërrmuese është edhe pjesa e shqiptarëve që beson se SPAK duhet t’i japë fund piruetave të doktorit me fletëthirrjet për dëshminë, e ta detyrojë për tu paraqitur.
73.4% e shqiptarëve kërkojnë që Berisha të shoqërohet me forcë në SPAK në rast se refuzon edhe fletëthirrjen e tretë. Vetëm 22% nuk duan përdorimin e forcës. Kurse 4.6% janë akoma të dyzuar.
Të dyja kategoritë e fundit sipas autorit të sondazhit Eduart Zaloshnja anojnë nga votues të Partisë Demokratike.
Por ndonëse 80% e shqiptarëve besojnë se Berisha është urdhërues i vrasjeve, vetëm 50.2% besojnë se drejtësia mund ta dënojë për 21 janarin.
Dhe këta janë kryesisht votues të majtë.
Shqiptarët ndahen tek kjo pikë. 24.7% nuk besojnë se mund të dënohet, kurse një pjesë edhe më e madhe, 25.1% janë ende të dyzuar. Kjo tregon pesimizmin në rritje të qytetarëve nga Reforma në Drejtësi.
Por fletëthirrjet majtas e djathtas të SPAK, kanë ndikuar edhe në një drejtim tjetër. Besueshmëria e qytetarëve tek partitë politike tradicionale ka rënë.
Prej 11 majit, si PS dhe PD kanë rënie me 7%, por paradoksi është se rënia e PD është po aq, sa e qeverisë. Nëse PS ka rënë poshtë 50%, ka sërish një epërsi të madhe, mbi 18% të mbështetjes së PD.
Kurse elektorati gri ka arritur mbështetësit e PD, një mbështetje që në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit u pa se në rastin më të keq nuk del të votojë, ose në rastin më të mirë, kur voton, voton PS.
Edi Rama mund të preferojë një sistem me dy parti. Problem është se votuesit shqiptarë duket se me kalimin e muajve pas 11 majit, e shohin gjithnjë e më pak PD, si partinë e dytë në vend./abcnews.al

