Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në një lidhje skype me “Newsline” të Viol Xhafaj, ka komentuar edhe rezultatet e sondazhe që i japin fitore të sigurtë, kryebashkiakut, Erion Veliaj në zgjedhjet e “14 Majit”.
Nazarko tha se gjithmonë ata që janë në detyrë janë të avantazhuar, por shtoi se po ashtu Veliaj është kujdesur që punët e tij të jenë të qarta për publikun.
“Për hirë të së vërtetës, Veliaj vetë ka thënë që është një fushatë permanente. Ai është angazhuar që çdo punë e tij të jetë e qartë për publikun.
Koncepti i fushatës është diçka fluide në kohërat tona.
Në lidhje me sondazhet, është e qartë që Veliaj është i favorizuar në shumë aspekte. Është mbajtësi i detyrës dhe mbajtësi është i avantazhuar për shumë aspekte” tha fillimisht Nazarko.
Ai shtoi se Veliaj po ashtu nën drejtimin e qytetit është përpjekur ta fusë atë në hartat ndërkombëtare, jo vetëm për rininë, por edhe për aktivitet, gjë që ka ndikuar në zhvillimin e qytetit.
“Së dyti, Veliaj ka bërë punë të mëdha për Tiranën, është përpjekur ta përfshijë atë në hartën ndërkombëtare, për rininë dhe aktivitete të tjera, që kanë ndikuar në zhvillimin e qytetit.
Së treti, pavarësisht, faktit që Tirana nuk ka një plan rregullues tërësor, Veliaj është përpjekur të gjejë një zgjidhje të ekuilibruar në lidhje me ndërtimet dhe interesin publik” shtoi ai.
Për kandidatin më potencial që është përballë Veliajt, Belind Këlliçi, Nazarko tha se pavarësisht se është një figurë e re, i formuar në perëndim, përdor një gjuhë të vjetër, që i ngjan asaj të Berishës.
Sipas Nazarkos, mënyra se si Basha mundi Ramën vite më parë është zgjidhja e duhur për të ecur para sot.
“Nga ana tjetër, Këlliçi, pavarësisht se është një figurë e re, i formuar në perëndim, lidhjet fisnore me të majtën e ka pikë të fortë, por ai ka shumë pika të tjera që i disfavorizojnë atë. Përçarja që ekziston mes PD është një pikë e dobët, por edhe gjuha e përdorur është po ashtu një pikë e dobët, pasi ai përdor një gjuhë të vjetër që mbart nga pak atë berishizmin.
Figurat tërheqëse janë ata që ka një gjuhë që perceptojnë të ardhmen. Mënyra se si Basha mundi Ramën është treguesi se si duhet të sillet Këlliçi dhe gjuhën që duhet të përdorë,” tha Nazarko.r.t/abcnews.al