Manchester United është gati për sfidën gjysmëfinale të Europa League. “Djajtë e Kuq” presin Romën në shtëpi nesër në mbrëmje (21:00) dhe duan të hedhin një hap rreth kalimit në finalen e madhe.
Trajneri i skuadrës angleze, Ole Gunnar Solskjaer flet rreth ndeshjes së parë, duke vlerësuar kundërshtarët italianë. “Roma është një ekip i madh, me një histori të njohur. Akoma i ruaj fanellat e Tottit dhe De Rossit, të firmosura nga ata vetë.
Të jem i sinqertë, nuk e kemi ndjekur shumë Romën, por filluam t’i studionim që në momentin kur shorti na vuri përballë tyre në gjysmëfinale. Nuk kam dashur të tregoj mungesë respekti kur u shpreha se nuk e njoh Romën“, deklaron norvegjezi, i cili kalon te situata e ekipit të tij.
“Rashford do të jetë në dispozicion, është rikuperuar dhe i ka lënë pas krahëve problemet fizike. Jemi më të pjekur në krahasim me sezonin e kaluar. Mezi po presim që të zbresim në fushë“.
Në fund objektivi i madh, trofeu, që do ishte i pari si trajneri i United. “E ëndërroj fitimin e një trofeu me United. Synojmë të fitojmë Europa League, uroj që ta realizojmë këtë vit“, përfundoi trajneri i Manchester United. /abcnews.al