“Solli periferinë në qendër”, Dom Gjergj Meta: Papa Françesku, njeriu i të thjeshtëve

schedule12:01 - 24 Prill, 2025

schedule 12:01 - 24 Prill, 2025

Në një bisedë për ABC e Mëngjesit, Dom Gjergj Meta, zbuloi se janë dy fëmijë që morën bekimin e Papa Franceskut, të dielën e Pashkës në sheshin Shën Pjetër, një ditë para se ai të ndërronte jetë.

“Nuk është vetëm një fëmijë shqiptar që ka bekuar Papa, është edhe një vajzë tjetër e quajtur Hera, një vajzë që ma nisi i ati ata janë nga Durrësi. Pra, Hera dhe Marku janë dy fëmijët shqiptarë, të fundit që ka bekuar Papa. Është dicka e bukur sepse duket se përmes tyre kaloi bekimi i Herës. U duk sikur Papa e nisi dhe e mbylli me Shqipërinë.” tha ai ndërsa më tej komentoi testamentin e lënë nga Ati i Shenjtë.

“Testamenti ka të bëjë vetëm më vendin e varrimit, me asnjë tjetër, gjithcka tjetër është shkruar në dokumentin e riteve të salikimit të Papës, që ai ka dashur ta lehtësojë disi nga disa rite të tjera. Që nga konstatimi i vdekjes së Papës që bëhet tashmë jo me metodat tradicionale, por përmes konstatimit të mjekëve, dhe vendosja e trupit në kapelen e Papës, jo më në dhomën e tij. Këtë herë është një arkmort i vetëm gjatë gjithë kohës deri në varrimin e tij, dhe Papa ka dashur që varrimi i tij të bëhet në tokë. Ai nuk do varroset si shumë nga paraardhësit e tij në bazilikën e Vaticanit por në një bazilikë tjetër po në Romë në Santa Maria Maggiore, për shkak edhe të devocionit të tij ndaj kësaj kishe.”u shpreh ai.

Në vijim Dom Gjergj Meta komentoi edhe akuzat e bëra në adresë të Franceskut, si një Papë i majtë.

“Po kategoritë i majtë, i djathtë, janë kategori politike jo kishtare kështuqë, atë diskutim ua lëmë komplotistëve të politikës që shohin gjithmonë o majtas o djathtas. Papa ka qenë njeriu i të thjeshtëve, i të varfërve, i atyre që ishin në skajet e botës. Nëse ka një trashëgimi që ai na ka lënë, është fakti se ka sjellë periferinë në qendër. Fakti që ai cdo vit ulej me të pastrehët, janë gjeste, është papa e elokuencës së gjesteve. Nuk më duket një diskutim që i shkon për shtat një Pape, por nuk është rasti për të bërë një diskutim politik mbi qasjet e Papës.” thotë ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!