Solidariteti me të prekurit nga tërmeti, FSHF ndërton tre shtëpi në Bubq

schedule09:34 - 12 Shkurt, 2020

schedule 09:34 - 12 Shkurt, 2020

Federata Shqiptare e Futbollit do të ndërtojë 3 shtëpi të reja në fshatin Bubq, të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit. Deri tani janë dhuruar 80 000 euro, ndërsa fondet e tjera pritet të plotësohen nga Federata.

Ndihma nga futbolli pritet të jetë kjo. Tri shtëpi të reja do të ndërtohen nga Federata Shqiptare e këtij sporti, në përgjigje të shkatërrimeve nga tërmeti i 26 nëntorit. Kjo u vendos zyrtarisht në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv. Kantieret do të hapen në fshatin Bubq të Rrethit të Krujës.

Besohet se fondet e mbledhura deri tani do të mjaftojnë për diçka të tillë, ndonëse saktësisht në mbledhje u fol për 2 deri në 3 banesa. Si parim, shtëpitë do t’u ndërtohen atyre familjeve të goditura më rëndë nga fatkeqësia natyrore dhe që janë më keq nga gjendja ekonomike.

Burimet në Federatë bëjnë me dijë se nga dhurimet e marra deri tani janë mbledhur 80 000 euro, ndërsa shtojnë se vetë FSHF-ja do të kontribuojë për pjesën tjetër në mënyrë që të jenë financat e duhura për të ndërtuar tri shtëpitë e premtuara.

Dhuratat janë bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës, nga partner ndërkombëtarë, si dhe janë mbledhur nga veprimtari të ndryshme bamirësie. Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, ndërsa sipas llogarive të qeverisë shqiptare, dëmi ekonomik arrin në mbi 1 miliard euro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!