Sokol Balla, gazetar dhe analist, sot në mbrëmje ka qenë i ftuar në emisionin Provokacija, me gazetarin Mustafa Nano. Balla ka ndarë opinionin e tij në lidhje me situatën politike aktuale në vend. Gazetari u shpreh se nuk beson se ka arsye që situata politike, të çojë vendin në një përplasje civile. Më tej, Balla tha se, të gjithë ata që kërkonin që vendi të shkonte në përplasje civile për të larguar Edi Ramën, ishin të njëjtit persona që kërkuan të njëjtën gjë në 1997 për të larguar Sali Berishën.
Mustafa Nano: Ke shumë zëra publikë, intelektualë, gazetarë, që unë i shoh aktiv, dhe janë të rreshtuar dhe të sigurtë, në opinionet që japin, nuk i vënë kurrë në dyshim ato dhe promovojnë përplasjen, e quajnë si mjet natyral.
Sokol Balla: Të kesh opinion dhe një opinion të sigurtë, janë dy gjëra që nuk shkojnë. Opinioni nuk mund të jetë asnjëherë i sigurtë. Shumica e këtyre që flasin me siguri të plotë, për shkak se janë të rreshtuar nuk u intereson fare informacioni, atyre u intereson e vërteta e tyre subjektive. Unë jam gazetar i faktit dhe e di se për kë flisni. Është e njëjta kategori, që unë i njoh shumë mirë, kam punuar me ta, kam bashkëpunuar në ambiente profesionale me ta, dhe janë të njëjtit njerëz, që donin që Shqipëria të digjej në vitin 1997 vetëm të ikte Sali Berisha nga pushteti. Pra janë të njëjtat emra. Atë kohë për shkak të miqësisë së afërt me ta, debatoja, dhe nëse do kisha mundësi edhe tani do u thoja: Po digjet Shqipëria, po ne ku do jetojmë? Pra janë të njëjtët emra që kërkojnë të digjet gjithçka vetëm që të iki Edi Rama nga qeveria. Gjithsesi nuk besoj që sot janë të tilla kushtet dhe arsyet që të shkohet në përplasje civile./abcnews.al