Socialistët fitojnë zgjedhjet në Spanjë

schedule09:38 - 29 Prill, 2019

schedule 09:38 - 29 Prill, 2019

Socialistët fituan zgjedhjet e përgjithshme në Spanje, ndërsa Partia Popullore shënoi rezultatin me negativ në historinë e saj. Për herë të parë që nga rënia e dikatorit Franko 40 vjet më parë, hyn në parlamentin spanjoll partia e ekstremit të djathtë. Por pas zgjedhjeve të djeshme asnjë koalicion nuk ka shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë.

Socialistët e PSOE-së, kanë fituar në zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë por pa një mazhorancë të qartë. Grupi i Pedro Sançez ka lënë prapa Partinë Popullore, Siudadanos, Podemos dhe ekstremin e djathtë Vox, por kjo e fundit për herë të parë hyn në parlament.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e lartë, 75 për qind. Nuk ka një mazhorancë të qartë për të krijuar qeverinë e re: partitë e të pavarurve mund të mbajnë dhe njëherë një rol të rëndësishëm në krijimin e aleancave. Blloku i së majtës në fakt, në mënyrë që të qeverisë do të ketë nevojë për mbështetjen e një pjese të lëvizjeve katalanase.

Socialistët kanë marrë 123 vende në parlament, të ndjekur nga popullorët me 66 vende, një shifër e përgjysmuar kjo në krahasim me vitin 2016. Partia e qendrës Siudadanos renditet e treta me 57 vende, e majta radikale Podemos e katërta me 35, deputetë, dhe për herë të parë ekstremi i djathtë Vox ka 24 deputetë duke tejkaluar çdo parashikim të sondazheve.

Katalanasit e ERC kanë 15 deputetë, partia e Puixhdemon 7, baskët e PNV 6 deputetë. Për momentin asnjë nga dy koalicionet e mundshme nuk ka mazhorancën absolute prej 176 vendesh. Dhe ata që do të përbëjnë ndryshimin mund të jenë dhe një herë më shumë, katalanasit që duan pavarësinë nga Spanja.

Pikërisht në Katalonjë, ndër të tjera, votuesit duket se i kanë kthyer shpinën ish presidentit Puixhdemon, aktualisht në azil në Beligjikë, duke preferuar të votojnë të majtën republikane, e cila është më e prirur për të dialoguar me Madridin. Partia drejtohet nga Oriol Junkueras, i cili ndodhet në burg me akuzën se shpalli në mënyrë të paligjshme pavarësinë e vendit pas referendumit të 2017-s.

Mbështetur në të dhënat e para, partia e Junkueras ka 14 deputet në parlamentin e ri spanjoll, ndërsa ajo e Puixhdemon vetëm 5. Lideri socialist Sançez, në fjalimin e tij të fitores u shpreh se me këtë votë i është dërguar një mesazh Europës dhe pjesës tjetër së botës. Mund të fitohet kundër autoritarizmit dhe Spanja do të ketë një qeveri pro europiane.

Partia socialiste fitoi të ardhmen me këto zgjedhje dhe humbi të kaluarën shtoi ai duke theksuar tre objektivat kryesorë të qeverisjes së tij: lufta ndaj pabarazisë, promovimi i bashkëjetesës, dhe lufta ndaj korrupsionit.

Sekretari i përgjithshëm i ekstremit të djathtë Vox, nga ana e tij paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi. Havier Ortega Smith në një fjalim para turmës në Madrid premtoi se çdo deputet i kësaj partie do të bëjë një opozitë të vërtetë dhe do të jenë të pandalshëm.

Atmosferë e vakët dhe e heshtur ajo në selinë e partisë popullore pas një rezultati mes më të këqinjve në historinë e këtij grupimi politik. Partia sheh të përgjysmuar numrin e deputetëve të saj.

Lideri 38 vjeçar Pablo Kasado shpresonte të risillte në jetë partinë objekt të skandaleve të korrupsionit. Ai u ka premtuar mbështetësve të tij se do të nisnin punën menjëherë dhe pavarësisht rezultatit negative asnjë nuk i mohon përgjegjësitë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!