Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Snajperi & Shqiponja”, dy vëllezërit Hadribeaj që ngjitën Shqipërinë në majat e sporteve luftarake

schedule14:24 - 25 Nëntor, 2025

schedule 14:24 - 25 Nëntor, 2025

Në studion e ABC të Mëngjesit, Ermal dhe Adrian Hadribeaj sollën një prej historive më frymëzuese të sporteve luftarake shqiptare. Dy vëllezërit, njëri kampion bote në boks dhe tjetri kampion në MMA, u rikthyen në skenë së bashku pas 14 vitesh, në një mbrëmje ku flamuri kuqezi u valëvit fuqishëm përballë botës.

WBC, një nga organizatat më prestigjioze të boksit, erdhi për herë të parë në Shqipëri me gjithë ekipin e saj, duke sjellë një event madhështor që u transmetua në 200 vende të botës përmes DanzBoxing. Adrenalinë, emocion dhe krenari shqiptare në një mbrëmje unike ku 44 sportistë nga e gjithë bota hynë në ring për të luftuar për titujt.

Ermal Hadribeaj , i njohur si “Snajperi”, shkëlqeu përballë kolumbianit Placido Ramirez, duke arritur fitoren e tij të 9-të si kampion bote. “Ishin në lojë 5 tituj botërorë. Ishte një garë e fortë, por fitorja shijoi më shumë pasi ndodhi në shtëpi,” u shpreh ai. I stërvitur 3-4 orë në ditë dhe me një karrierë të mbushur me sakrificë, Ermal theksoi se asgjë nuk ka ardhur lehtë: “Të gjitha fitoret i kam arritur me mund e përkushtim.”

Krahas tij në studio ishte vëllai, Adrian Hadribeaj, “Shqiponja”, kampion MMA, i cili rrëfeu udhëtimin e tij të gjatë nga karateja e fëmijërisë, te triumfet ballkanike e europiane e deri te emigrimi në SHBA, ku kërkoi mundësi më të mëdha. “Kur shkova në Amerikë isha 21 vjeç dhe MMA nuk ishte zhvilluar ende si sot,” tregoi ai. Megjithatë, mbështetja e vëllait dhe familjes e mbajtën të fortë: “Familja ka qenë gjëja më e rëndësishme. Gruaja dhe vëllai më kanë qenë gjithmonë pranë.”

Adriani rrëfeu edhe rolin e tij si pikë referimi për Ermalin: “Ai ka provuar shumë sporte futboll, karate, gjimnastikë, arte marciale mikse – derisa e gjeti veten në boks. I kisha lënë amanet që sportin ta vazhdonte.” Dhe kështu ndodhi: rrugët i afruan, sfidat i bashkuan.

“Jam kompetitiv që i vogël, në çdo garë doja të dilja i pari,” tha Ermal. Ndërsa mbrëmja e Tiranës vulosi edhe një herë se dyshja Hadribeaj jo vetëm po shkruan historinë e sportit shqiptar, por po e çon atë në skenën botërore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!