“Snajperi” Mirlind Daku/ Sulmuesi kuqezi me precizion të lartë në elitën ruse

schedule16:16 - 29 Dhjetor, 2024

schedule 16:16 - 29 Dhjetor, 2024

E përditshmja më e vjetër sportive ruse e ngre në piedestal.

Nuk është pak që një yll i futbollit shqiptar të marrë superlativa nga një gazetë e themeluar 100 vjet më parë, si “Sovjetski Sport”.

Kjo media e cilëson Mirlind Dakun si sulmuesin që Rubin i Kazanit e ka pritur prej kohësh, dhe si një lojtar që përmbush të gjitha kërkesat e stilit të lojës që kërkon trajneri Rashid Rahimov.

E veçanta e Dakut është se këtë sezon ai ka shënuar 9 gola në 17 ndeshje, dhe në rreth 1500 minuta në fushë, por sidomos sepse ka përmbushur pritshmëritë.

Agjencia e njohur e statistikave të futbollit, “Hu Sports”, nxjerr përfundimin se Daku kishte pritshmëri për 9.6 gola këtë sezon deri tani, ndërsa shqiptari nga Kosova realizoi 9 herë.

Thuajse aq sa ishte parashikuar, diçka që ndodh rrallë.

Mesatarja e tij është 1 gol ose asist në rreth 100 minuta, pra në diçka më shumë se një ndeshje.

Karakteristika e “Sovjetski Sportit” për Dakun është e tillë:

Nuk pati nevojë për kohë përshtatjeje, as për të ndryshuar shumë stilin e lojës, pavarësisht ndryshimit të kampionatit, të klimës dhe mbrojtjeve të forta.

Sulmues që bën presing, që e kupton mirë ritmin, që di të pasojë mirë, me instinktin e fortë për gol, dhe aftësinë pozicionale në zonë!

Aktualisht, Daku gati e ka shtatëfishuar vlerën e kartonit, pasi sipas transfermarktit sot arrin në 7 milionë euro, ndërsa Rubini e mori nga Osijeku në Kroaci për 1.2 milionë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!