Slogani, ekipet dhe numri i ndeshjeve: Detajet e Kupës “Nënë Tereza”

schedule23:08 - 26 Dhjetor, 2019

schedule 23:08 - 26 Dhjetor, 2019

Kupa “Nënë Tereza” pret një “OK” nga FIFA dhe UEFA. Pasi foli presidenti i FFK, z. Agim Ademi, është radha e drejtuesve të FSHF për të zbuluar të tjera detaje. Armand Duka e kishte paralajmëruar një surprizë në emisionin “Pressing” në ABC News, por ai që flet dhe zbulon të dhënë interesante është Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

“FSHF është iniciator i këtij projekti. Duka vetë personalisht madje. Është punuar shumë, në bashkëpunim me presidentin e FFK. Presidentët kanë kontaktuar së bashku. Është bërë një projekt madhor, Kupa do quhet ‘Nënë Tereza’. Ka edhe një slogan, që quhet ‘Futbolli gjuha jonë’.

Ka rreth një vit që është punuar me disa grupe pune. Kemi bërë disa takime me grupe ekspertesh në FFK dhe kemi propozuar projektin. Është rënë dakord, është pëlqyer. Në nëntor i kemi dërguar një shkresë Sekretares së Përgjithshme të FIFA-s dhe Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, për ta miratuar këtë aktivitet.

Kur të miratohet, do t’u kërkojmë ndihmë dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, që të bëhen pjesë financuese e këtij projekti. Ka kosto financiare. Shpresojmë të miratohet kërkesa. Projekti shkon në shifra të mëdha. Marrin pjesë ekipet e të gjitha kategorive.

Është një numër i konsiderueshëm ekipesh, mbi 100, që do të përballen me sistem vajtje ardhje pas një skeme të përcaktuar mirë. Do të jenë rreth 202 ndeshje në total dhe për kalimin e çdo turi çdo klub do ketë një premio. Është një aktivitet goxha madhor”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!