Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria do të bashkojnë forcat për të mbrojtur hapësirën ajrore të Sllovakisë.
Ministrat e Mbrojtjes të këtyre shteteve më 12 qershor arritën marrëveshje për këtë çështje, raportoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.
Këto katër shtetet bëjnë pjesë në Grupin e Vishegradit, që është një grup joformal politik dhe kulturor brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Sllovakia që nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka më avionë luftarakë. Ky shtet ndërpreu operimin e flotës ajrore për shkak se avionët MiG-29, që kishte Bratisllava, mirëmbaheshin nga teknikët “armiqësorë” rusë.
Të 13-të avionët MiG-29 që kishte Sllovakia u transferuan në Ukrainë, pavarësisht kundërshtimit të Rusisë, e cila ka nisur pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj shkurtin e vitit të kaluar./REL