Nga Leontina Nika
Ky është emocioni i rikthimit të skulptorit Qazim Kërtushës aty ku e nisi, ne Universitetin e Arteve.
“Pata emocion shumë të madh. Preka murin, sikur më thirri prapë: “Mirë se erdhe Kërtusha”.
Krijimtarinë e një jete artisti e shpalos në këtë ekspozitë. Skulptori ka gdhendur ngjarje historike, nostalgji e pa lënë mënjanë burimin e jetës bukurinë femërore.
Kuratori Sadik Spahija çmon dy vlera të artistit. “Kërkimi artistik i Qazim Kërtushës shquhet ndër të tjera për dy elementë kryesore; për një ndershmëri profesionale që rrallë e gjen dhe për gjuhën e mirëfilltë të skulpturës” .
“Ndershmëri profesionale, nuk ka kompromis.”
Arkeologjia ka qenë burim frymëzimi për të. Skulptori i dy kohëve , thotë se ne diktaturë kishim frikë nga censura ndërsa sot nga komercializmi.
Teksa shtegtojmë në krijesat e tij gdhendur në materiale të ndryshme, kujton mbështetjen dhe vlerësimet e pedagogëve si Kristaq Rama dhe Hektor Dule.
Ndërkohë që krenar ndihet për portretin e 1985 që u hoq atë kohe për motive moderne e tashmë shtatorja e Aleksandër Moisiut është në Vienë të Austrisë.
Kërtusha është një ndër skulptorët më aktiv në Shqipëri në 30 vitet e fundit. Portreti i nënës” dhe “Vazoja dekorative” janë dy punë të artistit që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve. /abcnews.al