Skuadra e Milanit ka zyrtarizuar sulmuesin 20-vjeçar Rafael Leao, i cili sezonin e kaluar është aktivizuar me Lile në kampionatin francez. Portugezi shihet si një garanci për të ardhmen nga kuqezinjtë.
Milani vijon përforcimet në merkaton e transferimeve. Kuqezinjtë kanë njoftuar zyrtarizimin e sulmuesit premtues Rafael Leao nga radhët e skuadrës së Lile në kampionatin francez. Talenti 20-vjeçar ka firmosur një kontratë pesë vjeçare me skuadrën italiane ndërkohë që kostoja e operacionit nuk bëhet e ditur. Kjo lëvizje erdhi vetëm pak ditë pas largimit të sulmuesit Italian Patrik Kutroni.
Leao ka spikatur si futbollist në radhët e Sporting Lisbone në kampionatin portugez ndërkohë që sezonin e kaluar është aktivizuar me Lile në kampionatin francez. Paraqitjet e mira dhe nuhatja qe shtatlarta ka për golin nuk i shpëtuar drejtuesve të klubit kuq e zi të cilët mbyllën menjëherë marrëveshjen me futbollistin dhe skuadrën.
Në 24 takime në kampionatin francez, Leao ka shënuar 8 gola. Gjithashtu lojtari në fjalë është pjesë e skuadrës së moshave të Portugalisë. Sulmi i Milanit nuk cilësohet ende i kompletuar dhe pritet një tjetër goditje. Leao ka jo pak shanse për të luajtur si titullar përkrah Piatek por kjo do të varet nga përshtatja që do të ketë i riu premtues./ABC News Albania 24/7