Skënderbeu “vret” kampionatin

schedule21:29 - 9 Shkurt, 2018

schedule 21:29 - 9 Shkurt, 2018

Skënderbeu u shkëput në 11 pikë në krye të renditjes së Superligës. Skuadra më e mirë shqiptare mundi 1-0 Flamurtarin në Korçë, ndonëse nuk e pati aspak të lehtë.

Ajo që pritej ndodhi në Korçë.

Skënderbeu arriti fitoren e radhës, pikërisht ndaj atij që ishte rivali i tij kryesor, Flamurtarit dhe u shkëput në 11 pikë largësi në renditjen e Superligës.

Skuadra më e mirë e Shqipërisë mund të thuhet se “e vrau” kampionatin, kur Gjergji Muzaka e dërgoi topin në rrjetë 6 minuta para fundit.

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, e kishte parashikuar që ekipi i tij nuk quhej pretendent për titull dhe kjo u pa në stadiumin “Skënderbeu”.

Përballja, e vlefshme për javën e 19-të, u luajt e fortë, por me më shumë epërsi të vendasve.

Formacioni i trajnerit Ilir Daja pati më tepër raste për shënim, duke pretenduar edhe dy herë për 11-metërsha.

Flamurtari, po ashtu pati mundësitë e veta, por më të pakta, dhe shumë rrallë e gjeti kuadratin e portës së mbrojtur nga portieri Shehi.

Kampionati, natyrisht, nuk ka marrë fund, pasi ka ende edhe 17 javë për t’u luajtur, por diferenca e kryesuesve me të tjerët është shumë e madhe.

Flamurtari, Kukësi, Laçi apo Partizani mund të luftojnë thjesht për një vend në Europë.

Pas 19 ndeshjeve të luajtura, Skënderbeu kryeson me 43 pikë, ndaj 32 të Flamurtarit e 29 të Kukësit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!