Skënderbeu s’gabon me Teutën në Superligë, gabon sërish Kukësi

schedule15:55 - 22 Dhjetor, 2017

schedule 15:55 - 22 Dhjetor, 2017

Skënderbeu e mbylli me fitore vitin 2017 në Superligë, por jo të gjithë rivalët e tij arritën suksese. Flamurtari e Partizani arritën suksese, por Kukësi u mund

Festat do t’i kalojë më shumë sesi kampion dimri.

Skënderbeu e mbylli në mënyrën më të mirë vitin 2017, duke e fituar edhe ndeshjen e fundit të Superligës.

Korçarët mposhtën Teutën 3-1 në fushën e tyre, një sukses aspak I vogël ndaj një kundërshtari që shpesh u ka prishur punë edhe brenda në shtëpi.

Edhe këtë herë, u duk se do të shkonte keq kur durrsakët kaluan në epërsi me penalltinë e realizuar nga Dediç, por Skënderbeu ishte shumë I fortë për t’u përballuar.

Sulmuesi kryeor Ali Soue shënoi dy gola dhe skuadra e Ilir Dajës triumfoi 3-1 dhe e mbylli vitin me 37 pikë në kampionat, 9 më shumë se vendi I dytë.

Këtë vend, aktualisht e mban Flamurtari pasi fitoi ndeshjen në fushën e një rivali direkt për Europën.

Kamza, shumë e lavdëruar këtë edicion, tashmë është hija e vetvetes duke pësuar humbjen e tretë radhazi.

Vlonjatët e trajnerit Shpëtim Duro ia dolën në Kamzë madje thellë, 3-0, me rrjeta të shënuar nga Hoxha, Zhufo dhe Tungara.

Dy ekipe të mëdhenj të tjerë të Superligës patën fate të ndryshëm.

Fitoi Partizani dhe u mund Kukësi.

Kryeqytetasit bënë një lloj autokritike pas humbjes në Gjirokastër, duke mundur Vllazninë 3-1 në Tiranë.

Në “Selman Stërmasi” pjesa e parë ishte e vështirë, pasi shkodranët u mbajtën fort në barazim 1-1, por dëshira për fitore e të besuarve të Starovës bëri diferencën, po ashtu si edhe cilësia më e madhe.

Progni e Bardhi siguruan tri pikët në pjesën e dytë, pasi Ibrahimi e Çinari kishin shënuar në të parën, dhe tani Partizani është në vend të pestë me 24 pikë, jo larg pozicionit të dytë në renditje.

Për Kukësin, sezoni po shkon keq e më keq, edhe pse kampionët mbeten të katërtit, dhe vetëm 3 pikë larg vendit të dytë.

Disfata me Luftëtarin është e vështirë për t’u pranuar, edhe pse gjirokastritët arritën fitoren e tretë radhazi në Superligë.

Trajneri Milinkoviç nuk po ia del të marrë rezultate, ndërsa për miqtë shënuan Abazaj e Rroca, ndërsa për vendasit ngushtoi diferencën Elis Bakaj me penallti.

Po tre gola shënoi edhe ekipi tjetër fitues I javës së 16-të, Laçi.

Kurbinasit e trajnerit Mezani u duk se e patën të vështirë ndaj Lushnjes, por nuk bënë hap fals.

Rezhinaldo, Uzuni dhe Xhixha shënuan golat, ndërsa Sefa barazoi përkohësisht në pjesën e parë.

Laçi është në vendin e tretë, shumë pranë Flamurtarit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!