Skënderbeu përjashtohet 10 vjet nga kompeticionet europiane

schedule19:35 - 29 Mars, 2018

schedule 19:35 - 29 Mars, 2018

UEFA vendos përjashtimin për 10 vjet të Skënderbeut nga Kupat e Europës dhe dënon klubin me 1 milion euro gjobë, pas akuzave për trukim ndeshjesh. Presidenti Takaj është i bindur në pafajësinë e klubit dhe paralajmëron apelimin.

Sa vjet do të duhet të presë për të festuar sërish kështu?

Skënderbeu rrezikon shkatërrimin e një projekti të jashtëzakonshëm të futbollit shqiptar, pasi u përjashtua për 10 vjet nga kupat e Europës.

I tillë ishte vendimi i Komisionit të Disiplinës të UEFA-s, në përputhje të plotë me kërkesën e bërë nga inspektorët që hetuan dosjen e korçarëve, ndërsa shqiptarët ishin të akuzuar për trukim ndeshjesh.

Akuza ishte për ndeshje në Champions dhe në Ligën e Europës në sezonin 2015-2016 dhe pikërisht ndaj Krusejdërsit të Irlandës së Veriut, Dinamos së Zagrebit, Sportingut të Lisbonës e Lokomotivës së Moskës.

Vendimi mban datën 21 Mars dhe padyshim u është bërë me dije Skënderbeut dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, siç janë edhe rregullat.
Klubi ka të drejtë të apelojë këtë dënim brenda 60 ditëve, diçka që e pohoi për ABC News edhe presidenti Takaj në linjë telefonike.

“Do të ndjekim rrugët ligjore për të drejtën tonë, – u shpreh Takaj, – dënimi është i padrejtë dhe Skënderbeu është i pastër. Kam besim se do të dalim fitues”.

Korçarët fillimisht duhet të shkojnë në Komisionin e Apelit në UEFA dhe pastaj në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, ashtu siç bënë për dënimin e parë që iu dha në 2016, dhe ashtu siç bëri Federata Shqiptare e Futbollit në rastin e ndeshjes në Serbi.

Nuk dihet se çfarë mund të arrijnë klubi shqiptar përmes drejtësisë sportive, por besohet se presidenti Takaj pret uljen e dënimit. Synimi i tij, siç edhe është bërë i ditur më parë jozyrtarisht, është një dënim prej 3 vitesh, që do ta lejonte të përballonte shpenzimet në pritje të kthimit në Europë.

Nëse dënimi do të mbetet 10 vjet, besohet se do të ishte e pamundur që bosi korçar të vazhdonte në krye të Skënderbeut. Bardhekuqtë u dënuan në 2016 që të mos merrnin pjesë një sezon në Champions, por ai ndëshkim ishet vetëm paraprak, ndërsa hetimi vazhdoi derisa u mor vendimi i tanishëm.

Me dënimin e mundshëm të kryesuesve të Superligës nisin edhe llogaritë për pjesëmarrjen e ekipeve të tjerë në kupat kontinentale. Vendi i dytë do të shkonte në Champions, dhe për momentin favorit për ta zënë atë pozicion është Kukësi, por pretendime kanë edhe Laçi, Partizani apo Flamurtari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!