Skënderbeu me probleme ndaj Jang Bojsit, por synon rezultat pozitiv

schedule18:12 - 7 Dhjetor, 2017

schedule 18:12 - 7 Dhjetor, 2017

Skënderbeu do të ketë shumë mungesa në ndeshjen e sotme të Ligës së Europës në Zvicër ndaj Jang Bojsit. Gjithsesi, trajneri Daja beson se mund të arrihet një rezultat pozitiv.

Problemi më i madh është në sulm.
Skënderbeu është në pozita shumë të vështira në prag të ndeshjes së fundit në Ligën e Europës, pasi trajneri Daja nuk ka thuajse asnjë alternativë në repartin ofensiv.
Kjo do të thotë se duhet improvizuar diçka në përballjen në Zvicër ndaj Jang Bojsit, në orën 19:00.
Sulmuesi kryesor, Ali Soue, ishte i dëmtuar që më parë, një minus i madh për peshën që mban afrikani në lojën e korçarëve.

Fatkeqësisht, dëmtim pësoi edhe ai që e zëvendësoi në ndeshjen ndaj Kukësit, Xhejms Adeniji.
Duke llogaritur faktin se edhe sulmuesi çek, Nespor, është i lënduar, Daja nuk ka asnjë lojtar të mirëfilltë për këtë rol.
Ekzistojnë gjasat, që trajneri të hedhë në fushë ose etiopianin Beniam Demte ose të përshtasë në atë pozicion Gjergji Muzakën.
Edhe në repartet e tjera pritet të ketë ndryshime.

Në mbrojtje besohet se do të jetë titular Aliti, që do të zëvendësojë në qendër kroatin Marko Radash.
Tefik Osmani, lojtar me mjaft përvojë, nuk pritet të jetë përpara mbrojtjes, dhe Daja do të duhet të luajë me skemën 4-3-3.
Në formacion pritet të luajë edhe Sahiti, që do të jetë në krahun e majtë të sulmit.
Skënderbeu synon, gjithsesi, të mos dalë pa pikë nga Zvicra.

Trajneri Ilir Daja është shprehur se pavarësisht nga mungesat, do të synohet fitorja ose barazimi, në mënyrë që të mbahet vendi i tretë në grup.
Skuadra shqiptare, sidoqoftë, e ka vendosur një rekord të ri për pikët në këtë sezon, me 5 të tilla të fituara deri tani, në krahasim me 3 pikë të dy edicioneve më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!