Skënderbeu kënaq trajnerin Daja me lojën ndaj kampiones së Rumanisë

schedule17:13 - 16 Janar, 2018

schedule 17:13 - 16 Janar, 2018

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është mjaft i kënaqur me formën e skuadrës së tij në fazën përgatitore. Daja bëri shumë eksperimente në miqësoren ndaj kampiones së Rumanisë, Vitorul.

Rezultati vlen, por gjatë përgatitjeve kënaq më shumë loja.
Skënderbeu, aq shumë i kritikuar për humbjet e rënda në miqësore, këtë herë ishte në një nivel krejt tjetër në barazimin ndaj Vitorulit të Konstancës.
Përballë kryesuesve të Superligës shqiptare ishte kampionia në fuqi e Rumanisë, pra një kundërshtar shumë serioz edhe pse vetëm në vendin e gjashtë këtë edicion.

Trajneri Ilir Daja mbeti shumë i kënaqur me atë që bënë në fushën e Antalias të besuarit e tij, ndërsa provoi mjaft eksperimente në pjesën e dytë.
Ashtu si ndaj Beshiktashit, Daja hodhi në fushë formacionin më të mirë, që nga Shehi në portë, Radash, Vangjeli, Mici apo Jashanica në mbrojtje, deri tek Soue në sulm.
Trajneri pa nga të vetët edhe gabime, por këto janë gjëra që ndodhin në faza përgatitore, ashtu siç është kjo e dimrit në Turqi.

Përveç 11 titullarëve, u pa edhe forma e 8 lojtarëve që hynë në fushë si zëvendësues, mes të cilëve edhe e Emiliano Vilës që bëri debutimin për ekipin e tij të ri.
Shqetësimet e vetme të korçarëve kishin të bënin me të dëmtuarit që nuk mundën të luanin në këtë miqësore, si Sahiti apo Demte, ndërsa më problematik duket i pari, për të cilin pritet rezonanca manjetike për të mësuar sesa do të mungojë.

Skënderbeu ka zhvilluar 3 miqësore në Antalia, dhe pas pak ditësh pritet të kthehet në Shqipëri, me sezonin e Superligës që nis në 27 janar./abcnews.al