Skënderbeu arriti fitoren e dytë radhazi dhe u ngjit në krye të Superligës. Skuadra kampione ia doli në një fushë të vështirë si ajo e Luftëtarit.
Mallkimi ndoshta ka marrë fund.
Skënderbeu nuk pati një tjetër lëkundje në Superligë, por arriti fitoren e dytë radhazi, duke siguruar edhe kryesimin.
Në Gjirokastër, kampionët vuajtën në pjesën e parë, por reaguan në të dytën duke shënuar dy gola e duke u ngjitur në kuotën e 17 pikëve në renditje, një më shumë se Partizani, që do ta luajë këtë të hënë ndeshjen e javës së 8-të.
Për miqtë shënuan Ardit Hoxhaj e Bruno Dita, duke siguruar suksesin e dytë radhazi, pas atij ndaj Kukësit në Korçë pak ditë më parë. Ishte ky një reagim nga formacioni i trajnerit Orges Shehi pas kritikave të shumta që iu bënë për shkak të dy paraqitjeve jo bindëse, ndaj Tiranës në fushën e vet dhe në Durrës, ku u mund 0-2.
Gjithsesi, në 45 minutat e para, fati ishte me Skënderbeun pasi Luftëtari i pati rastet për të kaluar në avantazh, madje pretendoi për 11-metërsh që në minutën e parë të takimit. Nëse kampionët e fituan ndeshjen e tyre, nuk e bëri dot këtë Flamurtari.
Vlonjatët luftuan shumë në fushën e Kamzës, por në fund arritën vetëm një barazim 2-2. Skuadra e trajnerit Daja tregoi se ende do kohë për t’u forcuar siç duhet dhe për të qenë pretendente. Kamza kaloi e para në avantazh me Plakun, pastaj miqtë përmbysën shifrat me Bushiçin e Mustën, veçse dy minuta para fundit, barazoi Roloviç.
Vlonjatët u ngjitën në kuotën e 11 pikëve, duke qenë 6 pikë larg kreut, ndërsa Kamza megjithë pikën e marrë, sërish është e rrezikuar në vendet e fundit./abcnews.al