Skënderbeu, Ahmataj: Na ndihmoi faza e gjatë, presim edhe tre afrime

schedule22:18 - 9 Tetor, 2020

schedule 22:18 - 9 Tetor, 2020

Skënderbeu ka ndryshuar totalisht. Shumë lojtarë të larguar dhe plot të tjerë të afruar. Në stol është ulur Julian Ahmataj, i cili flet rreth gjendjes së ekipit dhe merkatos në një prononcim për Supersport.

SKËNDERBEU – “Është një ekip i ndërtuar thuajse nga e para, me djem të rinj. Jemi munduar të bëjmë një punë të madhe në seleksionimin e futbollistëve që do të ishin pjesë e Skënderbeut. Tani duhet koordinimi i të gjitha reparteve që të shkojmë atje ku duhet. Kemi elementë të talentuar, por që nuk kanë eksperiencë. Faza përgatitore e zgjatur na ka bërë mirë. Me dy-tri afrime të reja që presim të na vijnë nga jashtë, besojmë se e kompletojmë grupin”.

MERKATO – ” Kemi marrë Ditmar Bicajn, i vetmi që ka eksperiencë të mjaftueshme në Superiore, por edhe lojtarë të tjerë si Meksi, i cili është djalë inteligjent dhe konsiderohet me përvojë. Jemi bazuar te seleksionimi i elementëve të rinj me talent, që të ecin para”.

ANALIZA – “Oshilacionet janë të pranueshme të një grup i ri. Kjo ka bërë që rezultati të jetë në favor të kundërshtarit. Mund të kemi stabilitet për një kohë të gjatë, duke qenë dominues në lojë, por nuk ndodh për 90 minuta. Pjesërisht jam i kënaqur me bazën e skuadrës, atë që do të na udhëheqë në vazhdimësi”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!